|
PËR SHQIPËRINË EUROPIANE
PROGRAMI I MAXHORANCËS
DHE
QEVERISË SË INTEGRIMIT EUROPIAN
2009-2013
Paraqitur në Kuvendin e Shqipërisë
Tiranë më, 16.09.2009
Pjese nga programi:
…
II.3.2. REFORMIMI RRËNJËSOR I SISTEMIT SHËNDETËSOR. AKSESI, CILËSIA DHE GARANTIMI I BURIMEVE FINANCIARE
Një shoqëri e shëndetshme dhe e mbrojtur nga risqet është një synim madhor. Në katër vitet e shkuara, qeveria ka rritur fondet për sistemin shëndetësor, kryesisht në rritjen e pagave, përmirësimin e furnizimeve me medikamente, kryerjen e investimeve në rrjetin e shërbimit parësor e spitalor si dhe në vaksinimin dhe parandalimin e sëmundjeve. Kjo ka përbërë fazën e parë bazë të domosdoshme të ndërhyrjes reformuese në sistemin e shëndetit publik. Tashmë janë plotësuar kushtet për kalimin në fazën tjetër të reformimit të sistemit në modelin e tij të administrimit, relacioneve me përfituesit dhe financimit. Rezultatet në këtë fazë të dytë të reformës do të rrisin aksesin, diversifikojnë llojet e shërbimeve dhe ofrojnë shërbime më cilësore, njëherazi duke siguruar një qëndrueshmëri financiare të këtij sistemi. Realizimi i një sistemi shëndetësor cilësisht të ri do të jetë Motoja dhe Zemra e reformave për vitet 2009 – 2013. Përafrimi i domosdoshëm me standartet Europiane si dhe implementimi i përvojave dhe modeleve të suksesshme janë rrugët themelore ku do të eci tërësia e reformave në shëndetësi duke ruajtur arritjet dhe duke shpejtuar realizimin e reformave të reja.
Mbrojtja dhe përmirësimi i shëndetit të popullatës nëpërmjet shërbimeve të arritshme dhe të barabarta për të gjithë, realizimi i një sistemi shëndetësor cilësisht të ri, shërbime me standarte të bashkimit europian për të gjithë Shqiptarët dhe reformimi i mekanizmave dhe instrumentave financiare të cilët mbështesin e sigurojnë mbulim financiar efikas të kostove në rritje të sistemit shëndetësor, do të jenë këto shtyllat e reformës në shëndetësi.
Ky program reformash për transformimin e sistemit shëndetësor do të realizohet duke rivitalizuar administrimin e sistemit, duke modernizuar atë me qëllim përmirësimin cilësor të programeve kombëtare për parandalimin, kujdesin, trajtimin dhe rehabilitimin, realizimit të një skeme sa më të plotë të sigurimeve shëndetësore dhe bashkëpjesëmarrjes së pacientit me sistemin shëndetësor, si dhe rajonalizimin real dhe efektiv të spitaleve
Zbatimi i reformës tërësore në sistemin shëndetësor
Reforma administrative e sistemit shëndetësor bazohet në një sistem të ri relacionesh institucionale të qëndrave shëndetësore me institucionet politikëbërëse, me përfituesit, financuesin dhe personelin.
Në themel të këtyre relacioneve janë vetëqeverisja e qendrës shëndetësore, transparenca, përgjejshmëria, vlerësimi i performancës institucionale dhe individuale përkundrejt motivimit e shpërblimit sipas meritës.
Reforma do të përfshijë edhe një organizim më të mirë territorial duke harmonizuar shtrirjen e shërbimit parësor me atë spitalor si dhe të atij publik e privat.
Reduktimi i korrupsionit në sektorin e shëndetësisë do të bazohet në radhë të parë në masat me natyrë parandaluese dhe që mbështeten në krijimin e iniciativave anti-korrupsion
Investime masive në kujdesin parësor, spitalor dhe në parandalimin e sëmundjeve
Investimet publike në sistemin shëndetësor do të rriten me shpejtësi duke arritur mbulimin e plotë të territorit me qendra të kujdesit shëndetësor parësor të pajisura me mjetet e përshtatshme. Ndërkaq do të vazhdojë investimi me ristrukturimin dhe modernizimin e qendrave spitalore të vendit me prioritet realizimin real të rajonalizimit të sistemit spitalor.
Po kështu do të investohet për krijimin e një sistemi të shërbimit kombëtar të urgjencës të unifikuar sipas standarteve dhe cilësisë së lartë i bashkërenduar me sistemet e urgjencës së vendeve fqinje.
Investimet publike dhe fonde operative do të përfshijnë edhe sistemin e laboratorëve dhe institucioneve të shëndetit publik duke rritur shkallën e mbulimit me vaksina si dhe duke zgjeruar llojet e vaksinimeve. Gjithashtu do të fuqizohet sistemi i monitorimit dhe vlerësimit të gjendjes dhe risqeve shëndetësore
Financimi i sistemit shëndetësor. Financimi publik dhe nxitja e nismës private
Sigurimi i burimeve financiare të bollshme dhe të qëndrueshme për sistemin shëndetësor përbën një nga sfidat më të vështira por edhe vetë thelbin e suksesit të këtij sistemi në të ardhmen. Buxheti per shendetesine do te rritet me 60%.
Qeveria është e vendosur të zbatojë modelin e blerjes së shërbimeve shëndetësore nga një blerës i vetëm, Institutit te Sigurimeve Shëndetësore si dhe blerjen e shërbimeve nga ofruesit privatë të tyre.
Qeveria është gjithashtu e vendosur të rrisë ndjeshëm masën e financimit në shëndetin publik dhe në investimet kapitale.
Gjithashtu qeveria do të mbështesë dhe nxisë zgjerimin e sektorit privat në shërbimin parësor e spitalor si një mënyre për të kënaqur më mirë kërkesat në rritje për shërbime shëndetësore si dhe për një rritje dhe modernizim të sistemit shëndetësor shqiptar.
Edukimi dhe promocioni shëndetësor
Edukimi shëndetësor do të përbejë një drejtim me rendësi të rritur në të ardhmen pasi ai jep efekte të mëdha pozitive në parandalimin e sëmundjeve dhe uljen e kostos së kurimit. Edukimi shëndetësor do të bazohet në ndërmarrjen e fushatave sensibilizuese dhe/ose edukuese mes instrumenteve mediatike kombinuar me rritjen e shërbimeve të rrjetit këshillmor e deri të zgjerimi i njohurive shëndetësore që transmetohen nëpërmjet sistemit arsimor.
…
|