Ministri Ndoka merr pjese ne Konferencën Vjetore për Strategjinë Kombëtare për Fëmijët dhe prezanton planin e masave te ministrise per kujdesin ndaj femijeve
Ndoka: « Lufta ndaj dhunës e trafikimit të fëmijëve, prioritet i shëndetit publik »
« Shëndeti i vendit dhe i gjithë shoqërisë nuk mund të sigurohet përderisa të drejtat e fëmijëve për barazi dhe shëndet nuk janë siguruar plotësisht ».
Ministri i shëndetësisë z. Ndoka, mori pjesë sot në Konferencën Vjetore për Strategjinë Kombëtare për fëmijët, e cila u organizua në ambjentet e hotel Tiranës. Në fjalën e tij përshëndetësë ministri Ndoka shprehu edhe njëherë gadishmërinë e Ministrisë së Shëndetësisë për të kontribuar për kete ceshtje kaq të rëndësishme, e cila ashtu si për gjithë shoqërinë, përbën një obligim serioz edhe për shëndetësinë Shqiptare.
“Shëndeti dhe mirëqënia e fëmijës, vijoi Ndoka, si një e drejtë e tyre, është një nga objektivat prioritare të punës së kujdesit shëndetësor. Mbrojta e këtyre të drejtave dhe interesave fillon edhe me mbrojtjen e tyre nga abuzimi, dhuna, keqtrajtimi dhe neglizhenca”.
Abuzimi, neglizhenca me fëmijën është njësoj si një virus që sulmon organizmin e fëmijës dhe e ndryshon atë fizikisht, i cili duke kaluar nga gjenerata në gjeneratë ka të ngjarë të infektojë gjithnjë e më shumë viktima të tjera. Kjo sepse fëmijët që mbijetojnë abuzimin, kur të rriten janë të prirur të abuzojnë, neglizhojnë dhe braktisin fëmijët e tyre.
Dhuna, keqtrajtimi dhe trafikimi i fëmijëve nuk duhen konsideruar vetëm një vepër kriminale. Lufta ndaj tyre është prioritet edhe i shëndetit publik në vendin tonë.
“Secili nga ne, duhet të jetë pjesë e zgjidhjes së këtij problemi. Ne, shtoi Ndoka, duhet të koordinojmë të gjitha përpjekjet dhe burimet tona për parandalimin e këtij fenomeni të dëmshëm për të gjithë shoqërinë tonë. Çdonjëri nga ne duhet të pohojë se fëmijët janë pasuria jonë më e çmuar dhe duhet t`i mbrojmë ata”.
Ministria e Shëndetësisë po punon me ndërhyrje konkrete që synojnë në parandalimin e pasojave imediate dhe afat gjata të dhunës në familje dhe në veçanti të dhunës ndaj fëmijëve, ku prioritet ka parandalimi i dëmtimeve, i sëmundjeve dhe i pasojave shëndetësore që vijnë nga keqtrajtimi i tyre.
Personeli i kujdesit shëndetësor ka një rol kyç për të parandaluar këto fenomene të dëmshme, duke promovuar aksesin për kujdes shëndetësor, parandalimin e traumave si rrjedhojë e dhunës, kapjen dhe trajtimin e dëmtimeve dhe abuzimit të fëmijëve, ofrimin e kujdesit parandalues për ndjekjen e rritjes dhe zhvillimit fizik dhe psikomotor.
Drejtimet kryesore për parandalimin e fenomeneve të dhunës, neglizhencës, braktisjes së fëmijëve janë përqëndruar në:
- rritjen e aksesit dhe cilësisë së shërbimeve të kujdesit shëndetësor, veçanërisht atij parësor,
- zgjerimin dhe përmirësimin e koordinimit të punës së shërbimeve tona me shërbimet sociale, përmirësimin e aftësive të personelit shëndetësor, për identifikimin dhe trajtimin e problemeve fizike dhe psikologjke që rrjedhin nga abuzimi me fëmijët.
- parandalimin e lindjeve të fëmijëve të padëshiruar.
Parandalimi i fenomenit të abuzimit dhe braktisjes së fëmijës mund të arrihet më mirë kur përdoren strategji edukimi dhe promocioni, që ndihmojnë prindërit të mbrojnë dhe rrisin fëmijët e tyre. Pikërisht, këto strategji dhe ndërhyrje të parashikuara nga Ministria e Shëndetësisë në nivelin e familjes dhe komunitetit do të synojnë të ndihmojnë prindërit të plotësojnë nevojat bazë të fëmijve, të identifikojnë problemet si dhe të marrin njohuritë e duhura mbi sjelljen e fëmijës, disiplinën, zhvillimin e tij fizik dhe psikomotor.
“Me keqardhje, vijoi Ndoka, deri në momentin aktual, shërbimet tona shëndetësore nuk i janë përgjigjur si duhet manaxhimit të rasteve të fëmijëve-viktima të keqtrajtimit të dhunës. Punonjësit e kujdesit shëndetësor kanë nevojë për trajnime për të rritur njohuritë, për udhëzime dhe protokolle për ndjekjen dhe referimin e rasteve”.
Në kuadrin e reformës së filluar, në kujdesin tonë shëndetësor parësor, aktualisht po punohet për përgatitjen e udhëzuesve të praktikës mjekësore për mjekun e familjes dhe paketa e shërbimeve të ofruara nga këto qendra, ku është përfshirë edhe ndjekja, trajtimi dhe parandalimi i dhunës ndaj grave dhe fëmijëve.
“Një drejtim tjetër me rëndësi i punës së Ministrisë së Shëndetësisë, bën me dije Ndoka, konsiston në edukimin e familjes dhe komunitetit prej profesionistëve të edukimit dhe promocionit shëndetësor, për një prindërsi të mirë, çka është mjaft e rëndësishme për zhvillimin e personalitetit të fëmijës, sepse lidhjet e ngushta afektive me një të rritur në vitet e fëmijërisë së hershme dhe dashuria e kujdesi janë themeli që përcaktojnë një rritje dhe zhvillim të shëndetshëm dhe luftojnë keqtrajtimin, neglizhencën dhe braktisjen e fëmijës”.
Në mbyllje të fjalës së tij, ministri Ndoka, falenderoi dhe shprehu mirënjohjen për UNICEF-in, si dhe për gjithë specialistët Shqiptarë e të huaj që kanë bashkëpunuar, duke kontribuar në drejtim të mbrojtjes së fëmijës në vendin tonë.
“Në këtë kuadër, edhe Konferenca e sotme, e cila ka mbledhur të gjithë aktorët dhe partnerët kryesorë të interesuar për forcimin e këtij sistemi, është një mundësi e shkëlqyer për të diskutuar dhe shkëmbyer eksperienca midis profesionistëve, specialistëve dhe partnerëve tanë kombëtarë dhe ndërkombëtarë, në lidhje me ndërhyrjet sa më efektive për përmirësimin e sistemit kombëtar të mbrojtjes së fëmijës”.
Duke cituar slloganin mjaft kuptimplotë “Një fëmijë i mbrojtur, një buzëqeshje më shumë”, uroj që konkluzionet e këtij takimi të shërbejnë për të përmirësuar më tej ndërhyrjet tona për mbrojtjen e shëndetit të fëmijës dhe në veçanti mbrojtjen e tij nga dhuna, neglizhenca dhe braktisja, sepse shëndeti i vendit dhe i gjithë shoqërisë nuk mund të sigurohet përderisa të drejtat e fëmijëve për barazi dhe shëndet nuk janë siguruar plotësisht, përfundoi Ndoka.
Qytetarë!
Denonconi korrupsionin në sistemin shëndetësor në 069 20 24 322
Tirane, me 02 Qershor 2008 |