|
Ministrja Godo, vizitë zyrtare në Kosovë
Godo: Jam e lumtur që vizita ime e parë është në Kosovë
Godo: Në shëndetësi nuk ka kufinj ndarës
Shqipëria dhe Kosova nisin bashkëpunimin në fushën e shëndetësisë
Ministrja e Shëndetësisë znj. Anila Godo, gjatë vizitës së saj zyrtare në Kosovë, u prit nga Presidenti i Kosovës z. Sejdiu.
Presidenti Sejdiu, duke uruar Ministren Godo për detyrën në krye të Ministrisë së Shëndetësisë së Shqipërisë, e falenderoi për vizitën dhe ofroi mbështetje maksimale për qëllimin e pëbashkët duke kërkuar që bashkëpunimi mes dy vendeve të krijojë, stimulojë dhe të mbështesë vlerat drejt arritjes së standarteve më të larta të Bashkimit Evropian.
Z. Sejdiu, e vlerësoi nismën e dy ministrive për nënshkrimin e një memorandumi të bashkëpunimit që u nënshkrua sot në Prishtinë, si një fillim i mbarë dhe i domosdoshëm bashkëpunimi mes dy vendeve. “Jam i kënaqur me qëllimin e përbashkët që keni me Ministrinë e Shëndetësisë së Kosovës për nënshkrimin e një marrëveshje bashkëpunimi në kuptimin e protokolleve normale për periudhën që vjen”, theksoi Presidenti Sejdiu.
Ndërkaq, znj. Godo, duke e falënderuar Presidentin Sejdiu për pritjen që i bëri, e vlerësoi mbështetjen e tij për bashkëpunimin në fushën e shëndetësisë, si dhe për memorandumin e bashkëpunimit. “Pata kënaqësinë të dëgjoj mbështetjen për bashkëpunimin në fushën e shëndetësisë, si dhe për memorandumin që do të nënshkruajmë”, pohoi znj Godo.
Më pas, Ministrja Godo u prit nga Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi. Në takim mori pjesë edhe ministri i Shëndetësisë së Kosovës dr. Alush Gashi.
Kryeministri Thaçi në emër të Qeverisë së Kosovës fillimisht ka përgëzuar znj. Godo për postin e Ministres së Shëndetësisë duke i uruar punë të mbarë dhe suksese. Të dyja palët u shprehën të kënaqur për shkallën e shkëlqyer të bashkëpunimit mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë. “Ky bashkëpunim është i shkëlqyeshëm në të gjitha sferat institucionale. Përgëzoj kryeministrin e Shqipërisë, z. Berisha për punën e tij të mrekullueshme që ka bërë, në veçanti tani kur po e afron Kosovën dhe Shqipërinë me projektin e rrugës Durrës-Vërmicë, projekt i cili do të ndikojë për të mirën e vendeve tona, për zhvillimin ekonomik dhe modernizimin e rajonit”, është shprehur z. Thaçi
Ministrja Godo, duke e falenderuar z. Thaçi për pritjen u shpreh se si Ministre e Shëndetësisë, kjo është vizita ime e parë jashtë shtetit dhe kjo është e natyrshme që kjo vizitë të ishte në Kosovë. “Kam kënaqësinë të takoj kryeministrin e Kosovës, si një kryeministër të një shteti të pavarur, që tashmë ka zënë vendin e merituar prej kohësh, midis shteteve të tjera dhe kjo bënë të lumtur çdo njeri që flet gjuhën shqipe”, theksoi ministrja Godo, duke shtuar se në planin personal kryeministri Thaçi i është dukur gjithmonë një personalitet i madh, i cili vërtet ka gjetur mënyrën dhe rrugën të ekuilibrojë situatën në Kosove.
Znj. Godo më tej shtoi se “Kryeministri Thaçi duket i informuar me problemet e shëndetësisë qoftë në Kosovë, por edhe në Shqipëri dhe mbështet mendimin tonë që për pacientët tanë që flasin një gjuhë dhe janë të një gjaku, kufijtë shtetëror nuk duhet të ekzistojnë. Ka ekzistuar një bashkëpunim mjaft i mirë në planin e trajtimit të ndërsjellë të trajtimit të pacientëve kosovarë në Tiranë ose të pacientëve tanë të veriut të Shqipërisë në Gjakovë, Prizren dhe Pejë. Ka qenë një traditë e mirë e këmbimit tonë në fushën shkencore dhe këmbimit të informacioneve në fushën e shëndetit publik dhe fushat tjera të Shëndetësisë”- përfundoi Godo.
Gjatë takimit, Ministrja e Shëndetësisë së Shqipërisë znj. Anila Godo dhe ministri i Shëndetësisë së Kosovës, dr. Alush Gashi. nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi mes Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë. Marrëveshje dhe synon të nxisë marrëdhëniet dy palëshe në fushën e mjekësisë.
Dy ministritë respektive, bazuar në marrëveshjen e nënshkruar sot, do të zhvillojnë dhe zgjerojnë bashkëpunimin e përbashkët në fushën e shëndetësisë dhe do të nxisin shkëmbimet e ndërsjellta të eksperiencës së tyre, që do të realizohet kryesisht nëpërmjet zhvillimit të programeve kërkimore të përbashkëta dhe bashkëpunimit midis qendrave kërkimore, spitaleve universitare dhe shoqatave shkencore në çështjet e interesit të përbashkët, pjesëmarrjes së specialistëve në konferenca, simpoziume, seminare, studimeve mjekësore të organizuara në të dy vendet mbi tema të rëndësishme në fushën e shëndetësisë, si dhe shkëmbimit të informacioneve dhe publikimeve mbi çështjet që lidhen me shëndetin publik, shëndetin mjedisor, ushqimin dhe materialet higjenike.
Në këtë kuadër, dy ministritë respektive do të mundësojnë vizita të shkurtra shkëmbimi të shkencëtarëve, hulumtuesve dhe specialistëve të tjerë në fushën e shëndetit me qëllim shkëmbimin e eksperiencës.
Në rastet urgjente, që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme, parashikohet dhënia e ndihmës mjekësore falas qytetarëve të të dy vendeve, gjatë qëndrimit të tyre të përkohshëm të ligjshëm.
Qeveria e Kosovës do të ofrojë trajtim mjekësor falas të rasteve urgjente, veçanërisht për popullsinë në Qarkun e Kukësit në spitalet e Gjakovës, Prizrenit duke garantuar, të njëjtin shërbim shëndetësor dhe financiar, i cili i ofrohet popullatës së Kosovës. Gjithashtu, qeveria e Kosovës do të ofrojë trajtim mjekësor falas në spitalet e saj për pacientët nga Shqipëria për shërbime të specializuara të Ortopedisë.
Nga ana e saj, Qeveria e Shqipërisë do të përkrahë, brenda mundësive, atë kosovare nëpërmjet programeve për zhvillimin e kujdesit shëndetësor parësor, kujdesit shëndetësor spitalor dhe organizimit të shërbimeve mjekësore në përgjithësi.
Gjitahshtu, qeveria shqiptare ofron trajtimin për pacientëët e ardhur nga Kosova me të njëjtat kushte, si për shtetasit shqiptarë për shërbime të specifikuara si në Kardiokirurgji, Neurokirurgji, Onkologji pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë.
Dy qeveritë do të bashkëpunojnë në fushën farmaceutike në inisiativën e Qendrës Kombëtare të Kontrollit të Barnave të Shqipërisë dhe të asaj të Kosovës. Parashikohet dhe nxitja dhe mbështetja e binjakëzimin midis spitaleve të dy vendeve në veçanti të spitaleve që përfshihen në zonën kufitare midis dy shteteve, bisedimet respektive për të cilën do të zhvillohen me inisiative të spitaleve të interesuara.
Tjetër fushë bashkëpunimi është dhe ajo e sigurimeve shëndetësore, mes institucioneve respektive të të dy vendeve, duke përfshirë lidhjen e marrëveshjeve të veçanta.
Kohëzgjatja e kësaj marrëveshje është 2 vjet dhe më pas do të rinovohet automatikisht edhe për 2 vjet të tjerë.
Ministrja Godo, e mbylli vizitën e saj në Kosovë me një vizitë në Memorialin Ish Presidentit Rugova dhe Adem Jasharit, ku në shenjë respekti dhe mirënjohje për punën dhe sakrificën në shërbim të atdheut të tyre, vendosi kurora me lule.
Qytetarë!
Denonconi korrupsionin në sistemin shëndetësor në 069 20 24 322
Tirane, me 02 Shtator 2008 |