MSH: Dhuroni gjak, shpëtoni jetë
MSH, ISHP dhe QKTGJ, thirrje sensibilizuese në prag të Ditës Botërore të Dhurimit të Gjakut
MSH falenderon dhuruesit vullnetarë të gjakut
Gjatë një takimi me mediat përfaqësues të ISHP, Ministrisë së Shëndetësisë dhe QKTGJ, bënë një apel sensiblizues për të dhuruar gjak. Ky apel bëhet në prag të Ditës Botërore të Dhurimit të Gjakut (më 14 qershor), por edhe në prag të sezonit veror. Vera është një periudhë gjatë së cilës dhurimet e gjakut bien për shkak të ndërprerjes së kirurgjisë së planifikuar nga e cila sigurohet një sasi e konsiderueshme stoku për bankat e gjakut në spitale, si edhe për shkak të uljes së dhurimeve vullnetare.
Po kështu, gjatë periudhës së verës vërehet edhe një fenomen tjetër që rrit shumë nevojat për gjak, të cilat janë aksidentet automobilistike. Kjo rritje e nevojshme dhe vazhdimi normal i kërkesave për gjak për sa i takon pacientëve me anemi kronike, e paraprirë nga ulja e sipërpërmendur e dhurimeve bën që pamjaftueshmëria në gjak të bëhet akoma më e ndjeshme gjatë periudhës së verës. Këtë e tregojnë edhe statistikat, vetëm në një muaj normalisht kemi rreth 700 dhurime gjaku, numër i cili reduktohet deri në 250 në muajt e pikut të verës.
Dhurimi i gjakut mund të kryhet pranë çdo banke gjaku në spitalet QSUT, Spitali Ushtarak, Maternitete apo pranë QKTGJ në Laprakë si edhe çdo të premte tek Parku Rinia. Në këtë thirrje publike, për të dhuruar gjak, përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë kanë saktësuar se në rastin konkret nuk është nevoja për të përhapur panik. “Kjo është një thirrje sensibilizuese, për të gjitha ata persona të shëndetëshëm të cilat duhet të bëjnë këtë veprim humanitar për ata njerëz të sëmurë që kanë nevojë për gjak.
Gjithsesi, gjendja aktuale e bankave të gjakut në spitale vazhdon të jetë në nivel normal, por edhe sikur të gjendemi në vështirësi gjatë periudhës së verës, pasi mund të mos sigurojmë dot dhurime, atëherë Ministria e Shëndetësisë do të importojë gjak”, pohoi specialistja e gjakut në Ministrinë e Shëndetësisë, Vjollca Duro. Sipas saj, ministria është në tentativë për të arritur në një marrëveshje për çështjen në fjalë.
Duhet të saktësohet gjithashtu që sipas strategjisë kombëtare për gjak të sigurtë që është duke u ndjekur në këtë fushë parashikon që në 2010-ën të ndërpritet dhurimi me pagesë i gjakut. Sipas statistikave, ky numër ka ardhur duke u ulur, në qoftë se mund të themi se në 2006-ën dhurimi me pagesë përbënte 40% të dhurimit total, në 2007-ën kjo përqindje është ulur deri në 14%. Dhe do të vazhdojë të reduktohet derisa të eleminohet totalisht.
Ministria e Shëndetësisë dëshiron të falenderojë publikisht të gjithë qytetarët që kanë dhuruar vullnetarisht gjak në bankat e gjakut. Gjatë dy viteve të fundit është rritur me 30 % sasia e gjakut të dhuruar, gjë që dëshmon rritje të ndërgjegjes dhe përgjegjësisë qytetare për njerëzit në nevojë. Dhurimi vullnetar i gjakut është shprehja më e qartë e humanizmit njerëzor dhe njëherësh forma më e mirë e mbledhjes së gjakut cilësor dhe të sigurtë për pacientët në nevojë.
Ministria e Shëndetësisë po bën përpjekje të mëdha për të investuar në sektorin e mbledhjes së gjakut dhe mondernizimin e kontrollit, kujdesit dhe shpërndarjes së tij sipas kërkesave të pacientëve. Ne kemi disa projekte konkrete me kompani dhe shtete të ndryshme për të kryer investime, të cilat në vitet e ardhshme do të sjellin një reformim të plotë dhe rritje të cilësisë së shërbimit të gjakut dhe produkteve të tij. Kjo është detyra e jonë ligjore, por realizimi i saj do të japë sukseset e pritshme vetëm nëse ndërthuret dhe bashkëvepron me kontributin e gjithësecilit qytetar, përmes dhurimit vullnetar të gjakut.
Aktualisht sistemi ynë ofron garanci të plota për standardet e gjakut, por ne kemi nevojë edhe për sasi më të mëdha gjaku. Për këtë, gjejmë rastin që edhe njëherë të apelojmë publikisht tek qytetarët, grupet civile, media dhe aktorët e tjerë në shoqëri, për të mbështetur, promovuar dhe të marrë pjesë në procesin e dhurimit vullnetar të gjakut.
Në kushtet e sotme të zhvillimeve urbane dhe globale, nevojat e pacientëve për gjak janë shumë herë më të mëdha sesa në të kaluarën. Bankat e Gjakut prej kohësh vuajnë nga mungesa kronike e gjakut dhe produkteve të tij. Gjithmonë ka pasur ulje dhe ngritje në sigurimin sasior të tij, por ne besojmë se ka ardhur momenti, që me ndihmën tuaj ky problem të zgjidhet përfundimisht.
Metoda e vetme për garantimin e sasisë së nevojshme të gjakut është dhurimi nga qytetarët, ndaj apelojmë të bëheni pjesë e këtij procesi, të ndihmoni në shpëtimin e jetës së fëmijëve, prindërve dhe të afërmve tuaj në nevojë. Qytetarët shqiptarë meritojnë një sistem modern shëndetësor që u ofron kujdesin dhe shërbimin e nevojshëm profesional, dhe për ta arritur këtë, ne kemi nevojë të arrijmë në 40 dhurime vullnetare gjaku për 1.000 banorë.
Qytetarë!
Denonconi korrupsionin në sistemin shëndetësor në 069 20 24 322
Tirane, me 03 Qershor 2008 |