|
Ministrja Godo takim me Ambasadorin e Italisë në vendin tonë
Godo: Italia kontribut të rëndësishëm për realizimin e reformave
Godo – D` ELIA: Bashkëpunimi mes dy vendeve i domosdoshëm për shëndetësinë shqiptare
Ministrja Godo, zhvilloi sot një takim pune me Ambasadorin e Italisë në vendin tonë Z. Saba D` Elia.
Z. D`Elia, duke përgëzuar znj. Godo për detyrën si Ministre e Shëndetësisë, ofroi mbështetjen maksimale të vendit fqinj si në realizimin e reformave ashtu edhe në përmirësimin e sistemit shëndetësor.
Ministrja e Shëndetësisë, znj. Anila Godo, falenderoi z. D` Elia për vizitën dhe mbështetjen që ka dhënë shteti Italian për pacientat shqiptar. Godo theksoi se marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes dy vendeve në fushën e shëndetësisë do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, në shërbim të pacientave shqiptar. Znj. Godo, pasi e njohu Ambasadorin me projektet dhe reformat e ndërmara për përmirësimin e shërbimit shëndetësor në vendin tonë u shpreh e gatshme për bashkëpunim në fushën e shëndetësisë, si në reformimin e sistemit shëndetësor, trajnim stafi e binjakëzim spitalesh, në shërbim të pacientave shqiptar.
Një pikë e rëndësishme diskutimi ishte suksesi i projektit INTERREG III, si bashkëpunimi më i mirë mes dy vendeve në fushën e shëndetësisë, dhe transplanti i veshkave, i cili pritet të fillojë edhe në vendin tonë me asistencën edhe të profesorëve Italian.
Investim tjetër i shtetit Italian në vendin tonë është dhe fondi i dhënë për rikonstruksionin e Poliklinikës Qëndrore dhe Poliklinikës te 21 dhjetori. Reabilitimi i plotë i këtyre strukturave financohet përmes një kredie ndihme me vlerë 780 mijë euro nga Cooperacioni Italian i Ministrisë Italiane të Punëve të Jashtme, në favor të Ministrisë tonë të Shëndetësisë. Kjo iniciativë që kontribuon në forcimin e efiçencës dhe funksionalitetit të strukturave shëndetësore, vlen edhe për tre poliklinika në Korçë, Gjirokastër dhe Peshkopi, rikonstruksioni i të cilave do të kushtojë 5 190 000 00 euro.
Krahas rinovimit fizik të ambienteve që do të rikonstruktohen, janë parashikuar dhe 1.364.000 Euro për pajisjet mjekësore të dy poliklinikave, e cila shoqëruar dhe me pajisjet mjekësore bashkëkohore të sjella në kuadër të INTERREG III, këto poliklinika duhet të kthehen në institucione për asimilimin dhe zbatimin e të rejave shkencore duke u bërë shembull për gjithë vendin në përmirësimin e performancës dhe rritjes së aksesit për shërbim shëndetësor të specializuar.
Duke falenderuar inicistivën e qeversië Italiane, Godo u shpreh se shëndetësia shqiptare tani është projektuar drejt një zhvillimi të qëndrueshëm, me objektiva të qarta që synojnë vendosjen e saj në një nivel sa më të kënaqshëm për popullsinë.
“Përmirësimi i vazhdueshëm i cilësisë së shërbimeve shëndetësore në përgjithësi dhe në veçanti ai i specializuar, përbën sfidën me të cilën përballet sistemi shëndetësor shqiptar. Ministria e Shëndetësisë, ka si qëllim prioritar përmirësimin e shërbimeve dhe përafrimin e tyre me standardet europiane”- theksoi Godo.
Ambasadori D` Elia e garantoi znj. Godo se bashkëpunimi me Italinë do të vazhdojë edhe në të ardhmen dhe shteti Italian do ofrojë mbështetjen maksimale për përmirësimin e standardeve shëndetësore në shqipëri.
Në fund të takimit, ministrja Godo, falenderoi Ambasadorin Italian për kontributin e dhënë për shëndetësinë shqiptare duke lënë të hapura tezat e bashkëpunimit në të ardhmen, në shumë sektorë të shëndetësisë.
Qytetarë!
Denonconi korrupsionin në sistemin shëndetësor në 069 20 24 322
Tirane, me 04 Shtator 2008 |