Qeveria miraton projekligjin për kripën e jodizuar
Pamjaftueshmëria jodike është shkaku kryesor i prapambetjes mendore dhe fizike
Rreth 16.000 të porsalindur çdo vit në Shqipëri janë të pambrojtur nga konseguencat e pamjaftueshmërisë jodike
MSH: Projektligji që qeveria miratoi në mbledhjen e saj të sotme krijon kuadrin ligjor të nevojshëm për jodizimin universal të kripës për përdorim human, shtazor dhe industrinë ushqimore.
Qeveria Shqiptare, ka miratuar në mbledhjen e sotme të qeverisë projekt-ligjin “Për parandalim e çrregullimeve të shkaktuara nga pamjaftueshmëria e jodit në organizmin e njeriut”.
Miratimi i këtij projektligji ka synimin eleminimin e pamjaftueshmërisë jodike në vend si një nga prioritetet e Ministrisë së Shëndetësisë në fushën e shëndetit publik.
Pamjaftueshmëria jodike është shkaku kryesor i prapambetjes mendore dhe fizike, por që mund të parandalohet lehtë nga sigurimi në organizmin e njeriut të sasisë së mjaftueshme të jodit. Marrja e jodit nëpërmjet kripës se jodizuar është identifikuar si një nga rrugët më efikase që kontribuon në eleminimin e pamjaftueshmërisë jodike. Pamjaftueshmëria jodike ka efekte negative në të gjithë popullatën me implikime serioze për zhvillimin dhe mireqënien e gjithë shoqërisë.
Ulja e koeficientit intelektual deri 13.5 pikë më pak se pjesa tjetër e shoqërisë ka efekte të menjëhershme dhe të dukshme në aftesitë e fëmijëve për të mësuar, në cilësinë e jetës së komunitetit, në produktivitetin ekonomik të një shoqërie. Pasojat janë shumë të rënda sidomos në gratë shtatzana dhe fëmijet e vegjël, në zhvillimin mendor dhe fizik të tyre.
Lufta kundër pamjaftueshmërisë jodike me qëllim eleminimin e saj kontribuon drejtpërdrejt në arritjen e shumë objektivave ndërkombëtare në fushën e shëndetit publik të pranuara edhe nga vendi ynë.
Në vitin 1993 u realiziua studimi epidemiologjik (nga Instituti i Shëndetit Publik ISHP - së, Qendra Spitalore Universitare Tiranë dhe ekspertë të ICCIDD, OBSH dhe UNICEF ) i cili tregoi se vendi ynë kishte një prevalencë të pamjaftueshmërisë jodike 97.2% (parametra shumë të rënda të pamjaftueshmërisë jodike dhe konkretisht me 63% të formës së rëndë, 30% e formës së moderuar, 5% e formës së lehtë).
Në vitin 2006 Ministria e Shëndetësisë, nëpërmjet ISHP - së dhe mbështetjes së UNICEF–it realizoi një tjetër studim epidemiologjik, ku rezultatet tregojnë për një përmirësim të dukshëm të situatës së pamjaftueshmërisë jodike në popullatë krahasuar me atë të vitit 1993. Vendi ynë, rezulton me një prevalence 55.6 % ( 6.8 % formë e rëndë, 19.9 % formë e mesme ,28.9 % formë e lehtë ) duke u klasifikuar në vendet me prevalence të lehtë jodike. Përqindja e familjeve të cilat konsumojnë kripë të jodizuar është vetëm 60.3 %.
Rreth 16,000 të porsalindur çdo vit në Shqipëri janë të pambrojtur nga konseguencat e pamjaftueshmërisë jodike dhe të paaftë të arrijnë potencialin e plotë intelektual duke rezultuar në reduktimin me 10-13.5 pikë të koeficientit intelektual të fëmijëve. Llogarritet qe reduktimi i GDP si pasojë e pamjaftueshmërisë jodike varion nga 0.3 deri në 2%.
Praktikat dhe ligjshmëritë e të gjitha shteteve, të cilat tashmë e kanë realizuar eleminimin e defiçiencës jodike në vendet e tyre, kanë qenë ndërhyrjet drastike në jodizimin universal të kripës, nëpërmjet të cilës realizohet marrja e sasisë së domosdoshme të jodit nga njerëzit dhe kafshët.
Përsa i përket kuadrit ligjor në këtë fushë, aktualisht veprohet duke u mbështetur vetëm në një VKM të vitit 1997, mbi “Importin e kripës së gjellës së jodizuar”. Ndonëse kjo VKM ishte një hap shumë i rëndësishëm për kohën, përvoja e viteve të mëvonshme tregoi se nëpërmjet tij, nuk mund të realizohet eleminimi i pamjaftueshmerise jodike si tek njerëzit dhe kafshët.
Projektligji që qeveria miratoi në mbledhjen e tij të sotme krijon kuadrin ligjor të nevojshëm për jodizimin universal të kripës për përdorim human, shtazor dhe industrinë ushqimore. Ai realizon të gjithë gamën e veprimtarive që nga importi, prodhimi dhe deri tek konsumatori, duke realizuar që njeriu në mënyre të drejtpërdrejtë, por edhe të tërthortë të konsumojë vetëm kripë të jodizuar.
Me miratimin e këtij projektligji që ka Qeveria Shqipare plotëson edhe nagazhimin e saj si pjesëmarrëse në Samitin Special të Kombeve të Bashkuara për Fëmijët, apo institucioneve ndërkombëtare për realizimin e objektivit të vendosur për eleminimin global të pamjaftueshmërisë jodike.
Votimi i këtij projekt-ligji në Kuvend dhe hyrja e tij në fuqi është një hap tjetër i rëndësishëm për përmirësimin e cilësisë së jetës së popullatës dhe shendetin e saj, që është edhe objektivi madhor i Ministrisë së Shëndetësisë.
Qytetarë!
Denonconi korrupsionin në sistemin shëndetësor në 069 20 24 322
Tirane, me 05 Mars 2008 |