Ministri Ndoka në mbledhjen e Këshillit Rajonal të Federatës Ndërkombëtare të Planifikimit familjar
Ndoka: Treguesit e vdekshmërisë foshnjore po përmirësohen
Ndoka: Mortaliteti infantil është ulur 12.4 vdekje për 1 mijë lindje
MSH: Prioritet kuadri ligjor për mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve
MSH: Në përfundim sistemi i survejancës së aborteve
Ministria e Shëndetësisë synon që mortaliteti infatil të ulet në 10 vdekje për 1000 lindje, ndërkohë që aktualisht ky tregues është 12.4 për 1000 lindje dhe mbulesa vaksinale kryhet mbi 98%.
“Vlen të theksohet se aktualisht mbulimi me vaksina është më i lartë në zonat rurale. Nga viti në vit është rritur niveli i vaksinimit dhe është zgjeruar gama e tyre, ku këtë viti në Kalendarin Kombëtar të Vaksinës do shtohet edhe antigeni Hemgilus Influenca”, u shpreh sot Ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, në mbledhjen e këshillit Rajonal të Federatës Ndërkombëtare të Planifikimit Familjar (IPPF), ku morën pjesë përfaqësues të 49 vendeve anëtare.
Duke theksuar se shëndeti i fëmijëve është objektivi prioritar i politikave shëndetësore, Ndoka vuri në dukje se “Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe UNICEF, po zbaton programin e integruar të menaxhimit të sëmundshmërisë foshnjore, me të cilin ulja e mortalitetit do të llogaritet nën 10 vdekje për 1000 lindje”.
Të dhënat vijoi Ndoka, flasin se kemi një ulje me rreth 30% në rastet e vdekshmërisë foshnjore nga sëmundjet e aparatit të frymëmarrjes, ndërkohë që vdekjet me sëmundje diareike, janë ulur me 50%.
Ministri Ndoka, cilësoi ndër të tjera, se është fakt që vdekshmëria foshnjore në vendin tonë vitet e fundit ka shënuar ulje deri në ½ e nivelit që ishte më parë, por ende mbetet në shifra të larta në zona të veçanta, po të kemi parasysh se Shqipëria renditet në vendet me mortalitet të lartë në Europë.
Vdekshmëria foshnjore mbetet një nga problemet kryesore të sektorit të shëndetësisë në Shqipëri. Vihet re një tendencë e zvogëlimit të vdekshmërisë foshnjore (vdekjet e fëmijëve 0-1 vjeç) nga 41.5 vdekje për 1 mijë lindje në 1990, në 13 vdekje për 1 mijë lindje në 2007, megjithatë mbetet larg shifrave të vendeve të Bashkimit Europian.
Në zonat verilindore, si Dibër, Malësi e Madhe, Mirditë, vdekshmëria foshnjore është dy herë më e lartë. Por MSH bën me dije se, vdekshmëri të lartë foshnjore kanë edhe disa rrethe të mëdha të vendit si Tirana dhe Elbasani.
“Për këto arsye politikat shëndetësore aktualisht janë fokusuar në përmirësimin e shërbimit në tre nivelet e kujdesit, me prioritet kujdesin shëndetësor parësor', theksoi Ndoka, duke shtuar se Ministria e Shëndetësisë po plotëson edhe më tej kuadrin ligjor për mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve.
ISHP mbledh të dhëna edhe në poliklinikat private
Instituti i Shëndetit Publik, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe me mbështetjen e UNFPA-së, po përfundon ngritjen e sistemit të survejancës së abortit në Shqipëri, në sektorin publik dhe privat.
Ngritja e këtij sistemi po realizohet falë punës dyvjeçare të një grupi pune, në përbërjen e të cilit janë specialistë të ISHP-së, Ministrisë së Shëndetësisë, INSTAT-it, UNFPA-së dhe mjekë obstetër.
Puna e deritanishme ka konsistuar në ndërmarrjen e masave për krijimin e rrugës së raportimit të aborteve dhe dokumentit raportues (skeda e abortit).
Për herë të parë pas 10 vjetësh, ISHP po mbledh të dhëna për abortin edhe në klinikat private. Që prej qershorit të 2007-ës raportimi ka nisur në të gjitha maternitetet e rretheve, veç Mallakastrës, Kuçovës dhe Malësisë së Madhe.
Zyra e koordinimit të projektit të survejancës së aborteve, bën me dije se, në gjysmën e dytë të vitit të kaluar, u raportuan mbi 500 aborte, nga 14 klinika, 10 prej të cilave në Tiranë, por studimi i të dhënave do të vazhdojë edhe në rrethe.
Që prej qershorit të 2007-ës, edhe për maternitetet e rretheve, përveç Mallakastrës, Kuçovës dhe Malësisë së Madhe, do të mblidhen të dhënat e aborteve, duke ruajtuar anonimatin. Në çdo qendër aborti, apo drejtori në rrethe do të ketë një inspektor të shëndetit riprodhues, që do të jetë personi i kontaktit.
Ministria e Shëndetësisë, thekson se, mbledhja e informacionit mbi abortet në shërbimet shëndetësore publike dhe private, ka vijuar me trajnimin e personave përgjegjës për survejancën e abortit në 36 rrethet e vendit.
Aktualisht ngritja e sistemit të survejancës gjendet në fazën e dytë të zbatimit të saj, ku po krijohet softëair për përpunimin e informacionit të ardhur nga rrethet e vendit. Tirana është përzgjedhur rrethi pilot dhe gjatë këtij vitit do të kryhet instalimi i softëair-it në të gjitha klinikat private të cilat janë të licencuara për abort. Serveri do të vendoset në ISHP dhe do të bëjë përpunimin e informacionit në shkallë vendi. Sipas ISHP-së, raportimi i aborteve në rrethe gjatë periudhës qershor-tetor, ka arritur në shifrën e 57.6%, kurse për sektorin privat në Tiranë ka një raportim në nivelin e rreth 90%.
Abortet e raportuara nga institucionet publike në gjysmën e parë të vitit të kaluar, numërohen në 5092, sipas sektorit të statistikës në Ministrinë e Shëndetësisë. Ky dikaster, nga të dhënat që ka marrë nga maternitetet në vend dhe shtëpitë e lindjeve, konstaton se numri i aborteve gjatë 2007, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2006 (5321 aborte) të kaluar, ka shënuar ulje. Të dhënat dëshmojnë se kryerja e aborteve nga viti në vit ka pësuar rënie. Tre vite më parë numri i ndërprerjeve të shtatzënisë ishte 10.517, një numër që në vitin 2005 ishte 9403.
Abortet në dekadën e fundit kanë ardhur duke u reduktuar, pas një periudhe piku në vitet 1994-1995, që korrespondon me aprovimin e ligjit të ndërprerjes vullnetare të shtatzënisë. Aktualisht raporti i aborteve me lindjet është 1:4 .
Qytetarë!
Denonconi korrupsionin në sistemin shëndetësor në 069 20 24 322
Tirane, me 04 Qershor 2008 |