Në Ditën Botërore të Shëndetit
Ndoka: Ndryshimi i klimës, sfidë për sistemin shëndetësor
Ngrohja globale, kërcënim serioz për shëndetin e njerëzve
Shqipëria, probleme me ndotjen dhe dëmtimin e ekosistemit
Impakti mbi shëndetin i ndryshimit klimatik godet më shumë vendet e varfëra
Sistemi Shëndetësor, përshtatje dhe përgatitje për sfidat e reja
Ndryshimi i klimës si pasojë e ngrohjes globale, rrezikon shëndetin e qytetarëve dhe krijon sfida të reja, të panjohura më parë, për sistemin tonë shëndetësor, deklaroi sot ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, në Ditën Botërore të Shëndetit. Kjo datë e cila shënon edhe 60 vjetorin e krijimit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ka këtë vit moton “Mbrojtja e shëndetit nga ndryshimi i klimës” me objektivë rritjen e ndërgjegjëismit të publikut mbi pasjojat globale dhe locale, që shkaktohen nga ndryshimi klimaterik.
Tashmë shkencëtarët e shumë vendeve kanë dhënë alarmin se ngrohja globale, që shoqërohet me ndryshime të thella klimatike, po bëhet një kërcënim gjithnjë e më i madh për shëndetin e njerëzve. ”Nga ky kërcënim global nuk janë të përjashtuar as qytetarët e Shqipërisë, edhe pse ne jemi një vend i vogël, në zhvillim e sipër, dhe nuk jemi ndonjë faktor që ndikon në ngrohjen globale”, u shpreh ministri Ndoka, sipas të cilit nga ndryshimi i klimës kemi shtim të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë, ndotje të ujit dhe të ajrit dhe shumë sëmundje të tjera që provokohen nga këto ndryshime, ndoshta të panjohura deri tani.
Kjo pasi Shqipëria ka probleme për shkak të një ekosistemi të dëmtuar dhe të ndotjeve që ka shkaktuar urbanizimi i shpejtë, dy e trefishimi i popullsisë në qendrat kryesore urbane, brenda një periudhe të shkurtër kohore, në më pak se dy dhjetëvjeçarë.
Këtyre efekteve të brendshme, që përbëjnë një rrezik për shëndetin publik, u shtohen sipas Ndokës edhe rreziqet globale, sepse Toka, funksionon si një organizëm unik dhe jo i ndarë në dhoma e dhomëza që funksionojnë të pavarura nga njëra-tjetra”.
Impakti mbi shëndetin i ndryshimit klimatik godet më shumë vendet e varfëra dhe vendet relativisht të varfëra që janë në zhvillim e sipër, siç është vendi ynë. Tashmë ka prova të padiskutueshme që tregojnë se grupet e varfëra social-ekonomike janë më të ekspozuar ndaj rreziqeve mbi shëndetin dhe janë ato që vuajnë më shumë pasojat e ndotjes. Po kështu, edhe mosha e tretë apo fëmijët e vegjël i ndjejnë më shumë pasojat e këtyre rrëziqeve që vijnë nga ndryshimi i klimës.
”Gjithsesi, efektet e këtyre pasojave që vijnë nga ndryshimi i klimës, nuk janë të pashmangshme nëse qeveritë e të gjitha vendeve i trajtojnë këto shqetësime me seriozitet të plotë dhe kanë angazhim maksimal për përballimin e këtyre sfidave të reja”, tha Ndoka, duke shtuar se politikat tona shëndetësore duhet të përqëndrojnë vëmendjen dhe të përshtaten me shumë në këtë derjtim. Ai vuri në dukje se nevojitet një kujdes më i madh ndaj ujit të pijshëm dhe higjenës, ambientit të pastër dhe ushqimit të sigurtë, imunizimit dhe mbikqyrjes së sëmundjeve, kontrollit të vektorëve dhe përgatitjes ndaj katastrofave.
”Kam bindjen se në bashkëpunim të ngushtë me faktorin ndërkombëtar dhe me një angazhim të gjithanshëm të potencialeve të brendshme, Sistemi ynë Shëndetësor do të përshtatet dhe do të përgatitet për këto sfida të reja, që në çdo rast të jetë i aftë të ndërhyjë dhe të përballojë situatat kritike që mund të krijohen nga ndryshimi gradual i klimës”, përfundoi ministri.
Qytetarë!
Denonconi korrupsionin në sistemin shëndetësor në 069 20 24 322
Tirane, me 07 Prill 2008 |