MSH: Projekt për mjedis të shëndetshëm
Gati eleminimi i Lëndëve kimike dezifenktante, desinsektante dhe deratizante (DDD), të skaduara ose jo
Qeveria hollandeze dhe PNUD financojnë projektin
Ministria e Shëndetësisë me asistencën e Qeverisë hollandeze dhe PNUD do të kryejë identifikimin, prioritizimin dhe grumbullimin e sigurtë të stoqeve të lëndëve të rrezikshme kimike të shpërndara në strukturat e sistemit të shëndetësisë në të gjithë vendin.
Lëndë kimike dezifenktante, desinsektante dhe deratizante (DDD), të skaduara ose jo, disa prej tyre të ndaluara për përdorim për shkak të evidencës shkencore per efekte të dëmshme në shëndet, gjenden të depozituara në ambiente të Drejtorive të Shëndetit Publik apo Spitaleve në një numër rrethesh në vend. Gjithashtu, reagentë të kimike për përdorim laboratorik, të papërdorshëm për arsye të ndryshme, gjenden në laboratorë të shëndetit publik dhe spitaleve. Eliminimi I tyre është një proces i cili kërkon masa specifike për mbrojtjen e shëndetit të punonjësve që do të manipulojnë me to, të popullatës si dhe masa të veçanta për mbrojtjen e mjedisit. Drejtoritë e Shëndetit Publik janë udhëzuar të evidentojnë dhe të inventarizojnë stoqet e lëndëve të rrezikshme kimike.
Një projekt rajonal, me përfshirjen e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor (Bosnje-Hercegovinë, Kosovë, Mali I Zi, Maqedoni, Shqipëri dhe Serbi), mbështetur nga Qeveria hollandeze dhe PNUD, me vlerë 15 milion USD, do të synojë forcimin e kapaciteteve në vendet e Balkanit Perëndimor për të zgjidhur problemet mjedisore nëpërmjet rehabilitimit të pikave të nxehta mjedisore. Stacioni Hekurudhor i Bajzës është identifikuar si një nga pikat e nxehta mjedisore që kërkon ndërhyrje urgjente për shkak të 200-250 ton kimikateve të paidentifikuara të depozituara në magazinat e këtij stacioni hekurudhor. Ndikimi në mjedis dhe mbi të gjitha ndikimi në shëndetin e banorëve të zonës përbën një shqetësim madhor për Qeverinë shqiptare. Është planifikuar pastrimi i plotë i Stacionit Hekurudhor të Bajzës deri në mars 2010.
Pika të nxehta mjedisore konsiderohen gjithashtu lokalitetet ku gjenden industri të vjetra dhe të abandonuara. Programi i Qeverisë 2005-2009 konsideron rehabilitimin e pikave të nxehta mjedisore tëshkaktuara nga industritë e vjetra dhe të abandanuara si prioritet në mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit. Marreveshjet me BE të miratuara në 2006 dhe 2007 adresojnë rehabilitimin e pikave të nxehta mjedisore si prioritete afat-shkurtër dhe afat-mesëm (Sharra, rafinera e Ballshit, zona e Patos-Marinzës, etj.). UNDP angazhohet të mbeshtëse Qeverinë Shqiptare për problemet e pikave të nxehta mjedisore si pjesë e Programit për Shqipërinë dhe arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Mijëvjeçarit.
Qytetarë!
Denonconi korrupsionin në sistemin shëndetësor në 069 20 24 322
Tirane, me 07 Maj 2008 |