MSH: Shkarkimi i drejtorit të spitalit të Elbasanit, jo për arsye politike
Shkarkimi me kërkesë të Auditit të MSH për shkelje
MSH e vendosur në realizimin e reformave
Ministria e Shëndetësisë, sqaron opinionin publik dhe të interesuarit, se shkarkimi nga detyra i drejtorit të spitalit rajonal të Elbasanit “ Xhafer Kongoli” z. Shefqet Deliallisi, është bërë me kërkën e Auditit të Ministrisë së Shëndetësisë, pasi nga kontrollet e ushtruara në këtë spital janë vërejtur: mangësi në drejtimin ekonomik të institucionit, në administrimin e shpenzimeve buxhetore sidomos për ujë dhe energji elektrike, mangësi në kontrollin e kërkesën e llogarisë ndaj vartësave
Ministria e Shëndetësisë, sqaron se drejtori i sapo emëruar i spitalit të Elbasanit është një menaxher dhe profesionist i zoti, i zgjedhur midis disa kandidatëve dhe nuk ka lidhje me politikën.
Në vazhdim të reformimit të institucioneve shëndetësore (spitaleve) zëvëndësimin e drejtuesve mjekë me menaxher, reformë e cila ka dhënë rezultate shumë të mira aty ku është zbatuar, Ministria e Shëndetësisë po mundëson shërbim më të mirë ndaj pacientit.
Ministria e Shëndetësisë është e vendosur që reformat në sistemin shëndetësor të vazhdojnë deri në realizimin e plotë të tyre.
Së shpejti do të kemi në qeveri dy projektligjet bazë të sistemit shëndetësor, të cilat reformojnë totalisht sistemin aktual shëndetësor shqiptar duke e kthyer atë në një sistem europian.
Ministria e Shëndetësisë ka përfunduar dhe miratuar “Strategjinë e Zhvillimit të Sistemit Shëndetësor”. Hartimi dhe miratimi i një strategjie të tillë afatgjatë jep një vizion të qartë në lidhje me zhvillimin e sektorit shëndetësor dhe të hapave konkrete të cilat do të ndiqen në kuadrin e reformës që po zhvillohet brënda këtij sektori.
Në mënyrë të natyrshme, një nga mbështetësit kryesor të reformës dhe implementimit të kësaj startegjie mbetet kuadri ligjor për sektorin i cili pavarësisht se në dekadën e fundit ka njohur zhvillim dhe përmirësime të dukshme, përsëri ai ka nevojë të përmirësohet duke ecur me zhvillimet në sektorin shëndetësor.
Qytetarë!
Denonconi korrupsionin në sistemin shëndetësor në 069 20 24 322
Tirane, me 07 Maj 2008 |