|
Prezantohet projekti “Vlerësim i Sistemit të Informacionit Shëndetësor në Shqipëri"
MSH: Rishikimi i Sistemit të Informacionit Shëndetësor, përparësi urgjente
Ndoka: Viti 2008 kryesor për implementimin e projekteve për informatizimin e sistemit shëndetësor
Brenda vitit 2008, ky sistem do të shtrihet në 12 qarqe të vendit
Viti 2008 është viti kryesor për implementimin e disa projekteve për informatizimin e sistemit shëndetësor, bëri të ditur sot ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, gjatë seminarit të prezantimit të projektit “Vlerësim i Sistemit të Informacionit Shëndetësor”.
Ministria e Shëndetësisë e konsideron rishikimin e Sistemit të Informacionit Shëndetësor në vend si një nga përparësitë e saj urgjente. Për këtë, MSH po bashkëpunon me Organizatën Botërore të Shëndetit dhe Health Metrics Netëork (Rrjetit të Matjes së Shëndetit), me anë të një projekti.
Projekti u prezantua sot në Hotel International, në seminarin “Vlerësimi i Sistemit të Informacionit Shëndetësor në Shqipëri”, ku ishin të pranishëm ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, dhe përfaqësues të tjerë të lartë të MSH-së, përfaqësues të OBSH-së në Tiranë, drejtues të institucioneve shëndetësore, etj.
Synimi i këtij seminari ishte vlerësimi i sistemit të informacionit shëndetësor, duke përdorur instrumentat e HMN. Ndërkohë, objektivat e tij janë krijimi i një harte konkrete të SISH në vend, familjarizimi me instrumentat e HMN për vlerësimin e SISH, si dhe të bihet dakort se ç`farë duhet të masë sisitemi shqiptar i informacionit shëndetësor dhe të fillojë rrahja e mendimeve për një strategji dhe plan veprimi për SISH.
Sipas Ministrit Ndoka, “qeverisja e mirë e sistemit shëndetësor ka nevojë për një sistem informacioni funksional” .Ndoka theksoi se “informacioni shëndetësor, klinik dhe jo-klinik, është thelbësor për politikbërje, planifikim dhe programim, ai është mbi të gjitha instrumenti kryesor i monitorimit dhe vlerësimit të performancës së sistemit shëndetësor në një klimë tranparence dhe pergjegjshmërie”.
Duke u ndalur tek projektet e ndërmarra në këtë drejtim për vitin 2008, ministri Ndoka u ndal tek krijimi i rrjetit për lidhjen intranet të institucioneve kryesore shëndetësore të Tirans; MSH dhe Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe të gjithë spitaleve të tjera, Institutit të Shëndetit Publik, Autoritetit Shëndetësor Rajonal dhe institucioneve të tjera të rëndësishme në Tiranë. Rrjeti do të suportojë transmetimin në rrjet të të dhënave video, audio dhe të dhënave të tjera si pjesë e një sistemi të vetëm komunikimi për t’i shërbyer MSH-së dhe të gjithë institucioneve të sistemit tonë shëndetësor. Ndërkohë, është përfunduar studimi i fizibilitetit dhe është parashikuar një fond nga buxheti i shtetit prej 150 milionë lekë.
Gjithashtu, ministri Ndoka u ndal tek shtrirja e Sistemit të Menaxhimit të Aktivitetit Shëndetësor në Shërbimin Parësor. “Sistemi funksionon në 5 qarqe dhe përmes një bashkëpunimi të ngushtë me ISKSH-në do të realizohet shtrirja në të 12 qarqet e vendit brenda vitit 2008”, shtoi ministri Ndoka, sipas të cilit, kjo ndërmarrje është një hap i rëndësishëm në avancimin e Reformës në Kujdesin Shëndetësor Parësor.
Ndoka theksoi në këtë drejtim, se një sistem i integruar informacioni shëndetësor i shtrirë në të gjithë territorin e vendit është i domosdoshëm. Duke u ndalur tek Strategjia e Sistemit Shëndetësor 2007-2013, Ndoka vuri në dukje se në të reflektohet prioriteti i MSH-së për ngritjen e një sistemi informacioni financiarisht të përballueshëm në përputhje me politikat strategjike të qeverisë për zhvillimin e sistemit shëndetësor në Shqipëri.
Ndërsa, në Projekt-ligjin “Për Kujdesin Shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, përcaktohet përgjegjësia e MSH-së për ngritjen dhe mbajtjen e një sistemi unik të informacionit shëndetësor, bazuar në standardet dhe eksperiencat më të mira.
Drejtori i Shëndetit Publik në Ministrinë e Shëndetësisë, Gazmend Bejtja sqaroi se synimi është që i gjithë sistemi i informacionit që ekziston në insititucionet shëndetësore; spitale, qendra shëndetësore, etj, duhet të integrohet, që do të thotë të dhënat duhet të shkojnë tek këto insititucione në kohë reale dhe me saktësinë e duhur. Sipas tij, për këtë arsye, është marrë ky projekt si hap i parë, për videon dhe një rrjet intranet të të gjithë insititucioneve shëndetësore të Tiranës, spitalet, qendra shëndetësore, Instituti i Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor, Drejtoria e Shëndetit Publik, etj, që do të lidhen në një rrjet unik dhe të bëhet i mundur shkëmbimi i informacionit me forma të ndryshme.
Ndërkohë, sipas z. Bejtja, ekziston aktualisht informacioni, çdo insititucion ka një sistem informacioni, në bazë të të cilit operohet, merren vendimet, bëhet vlerësimi, politikat, etj, por shkëmbimi, lidhja mes insititucioneve, ka lënë për të dëshiruar dhe ky projekt synohet në këtë drejtim.
Përsa i përket informacionit që do të ofrohet, ai do të jetë klinik dhe jo klinik; informacioni joklinik është informacioni që ka të bëjë me të dhëna statistikore administrative të insitucioneve dhe informacioni klinik ka lidhje me rastet klinike sëmundjet e caktuara, etj. Si hap i parë synohet që informacioni të jetë mes institucioneve, pra për përmirësimin e punës të të gjithë insitucioneve dhe në një fazë të dytë do të përfshihen dhe insititucione të tjera të vendit. Vlera e këtij projekti për Tiranën arrin në 150 milion lekë. Ndërkohë, fizibiliteti i këtij projekti, i cili është ambicje e vitit 2008, është realizuar.
Sistemi aktual i informacionit shëndetësor në Shqipëri vlerësohet i copëzuar, me cilësi të dobët, nuk jepet në kohën e duhur dhe shpesh nuk hyn në punë për interesa të vendimmarjes në aspektet klinike, adnministrative dhe financiare. Ndërkohë, informacioni shëndetësor konsiderohet një kërkesë bazë për vendimmarrje racionale në sistemin e shëndetësisë.
Qytetarë!
Denonconi korrupsionin në sistemin shëndetësor në 069 20 24 322
Tirane, me 07 Korrik 2008 |