MSH: Shërbim shëndetësor 24 orësh në zonat turistike
Kontroll hoteleve, restoranteve për zbatimin e rregullave
Kontroll të përditshm të ujit të pijshëm
Kontroll të rreptë higjeno - sanitar për parandalimin e epidemive
Ministri i Shëndetësisë Nard Ndoka, ka firmosur sot një urdhër nëpërmjet të cilit ka ngarkuar Drejtoritë e Shëndetit Publik për sigurimin e shërbimit shëndetësor 24-orësh për të gjithë pushuesit në zonat turistike të vendit. Duke u nisur edhe nga ekperienca e vitit të shkuar, Ministria e Shëndetësisë tashmë ka gjithë potencialin e nevojshëm për përballimin e nevojave për shërbim shëndetësor në zonat turistike të vendit, duke siguruar infrastukturën e nevojshme sidomos në ato zona ku ka një numër të konsiderueshëm pushuesish.
Nëpërmjet urdhëtit të tij, Ministri Ndoka ka kërkuar që drejtoritë e shëndetit publik të marrin masa komplekse dhe të jenë në gadishmëri të plotë në të gjitha orët e ditës, për të trajtuar çdo rast që ka nevojë për shërbim shëndetësor.
Në tekstin e urdhërit të firmosur nga ministri Ndoka thuhet :
- Të organizohet shërbim 24 orësh në qendrat shëndetësore në të gjitha zonat turistike të vendit, veçanërisht në ato zona ku numri i pushuesve gjatë sezonit të verës është i madh.
- Të furnizohen me medikamente dhe materiale mjekimi të ndihmës së shpejtë mjekësore të gjithë qendrat shëndetësore dhe urgjencat mjekësore.
- Të sigurohet gadishmëria për transportin mjekësor me autoambulancë për të sëmurët që kanë nevojë për këtë shërbim.
- Të fuqizohen kontrollet higjeno - sanitare dhe epidemiologjike në zonat turistike, për parandalimin e shfaqjes së shpërthimeve, në drejtimet e mëposhtme:
- Kontrollin e përditshm të ujit të pijshëm , dezinfektimin dhe marrjen e analizave për treguesit fiziko - kimik e mikrobiologjik duke bërë matjen e klorit dy herë në ditë.
- Kontrollin e hoteleve, restoranteve dhe pikave të tregtimit të produkteve ushqimore, për zbatimin e rregullave të përgjithshme të higjenës dhe veçanërisht në zbatimin e normave për ruajtjen dhe tregtimin e produkteve ushqimore.
- Kontrollin e masave të marra për dezinfektimin, desinsektimin dhe deratizimin e mjediseve të brendshme dhe të jashtme të të gjithë territoreve të zonave turistike.
- Në bashkpunim me inspektoriatin e mjedisit dhe autoritetet e pushtetit vendor, të ushtrohen kontrolle higjeno–sanitare për gjendjen e mjedisit e veçanërisht për grumbullimin, largimin e përpunimin e mbeturinave urbane si dhe ujrave të zeza nga gropat septike.
- Drejtoritë e spitaleve të zonave turistike të marrin masat të presin të sëmurët për trajtim spitalor, duke planifikuar dhe shtretër rezervë, në rast nevoje.
- Për të gjitha shkeljet dhe mangësitë që konstatohen, Inspektoriati Sanitar Shtetror dhe Epidemiologjik, të zbatojë me rigorozitet masat e parashikuara në ligjin Nr. 7643, datë 02.12.1992 ”Për inspektoriatin sanitar shtetëror” dhe ligjin Nr. 7761, datë 19.10.1993 ”Për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse” dhe akteve nënligjore në fuqi.
- Çdo datë 30 të muajit, për veprimtarinë e kryer, problemet dhe masat e marra, të dërgohet informacion me shkrim në Drejtorinë e Shëndetit Publik në Ministri të Shëndetësisë (Fax. 042 362 937), si dhe të informohen organet e qeverisjes vendore.
Qytetarë!
Denonconi korrupsionin në sistemin shëndetësor në 069 20 24 322
Tirane, me 09 Maj 2008 |