|
MSH: 15 pacientë drejt Ankarasë për transplantin e veshkës
Miratohet në mbledhjen e sotme të KM buxheti për mbulimin e shpenzimeve për kryerjen e transplantit të veshkës në Ankara të Turqisë për 15 pacientë shqiptarë
Transplanti i veshkës ul nevojën e pacientëve për kryerjen e Hemodializës
Në mbledhjen e sotme, Këshilli i Ministrave, vendosi një shtesë fondi në buxhetin e vitit 2008, për mbulimin e shpenzimeve për kryerjen e transplantit të veshkës në Ankara të Turqisë për 15 pacientë shqiptarë.
Në mbështetje të pikës 2 të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 21 dhe 27 të Ligjit Nr. 8379 datë 29.07.1998, “Për hartimin dhe zbatimin e buxhetit të shtetit të Republikës së Shqipërisë”, dhe të Ligjit Nr. 9836 datë 26.11.2007 “Për buxhetin e shtetit, të vitit 2008”, me propozim të Ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave, vendosi në mbledhjen e sotme që Ministrisë së Shëndetësisë, në buxhetin e miratuar për vitin 2008, në zërin e "Shpenzime për mallra e shërbime", t'i shtohet fondi prej 22 000 000 (njëzetë e dy milionë) lekë, për mbulimin e shpenzimeve, për kryerjen, jashtë vendit, të transplantit të veshkës, për disa shtetas.
Shtesa e fondit në buxhetin e MSH për mbulimin e shpenzimeve për kryerjen e transplantit të veshkës për disa shtetas në Ankara Turqi që do të shtohet është 22 000 000 (njëzet e dy milion) lekë dhe numri i rasteve që do ti nënshtrohen transplantit të veshkës është 15 pacientë për vitin 2008.
Rastet janë përzgjedhur nga Shërbimi i Nefrologjisë, pranë Qendrës Spitalore Universiatre “Nënë Tereza” si më të pështatshëm për transplant, ku për të cilët në mënyrë të detyryeshme ekziston dhuruesi i organit i cili është një familiar.
Transplanti i veshkave është një praktikë në vazhdim që nga 2006; në 2006 janë trajtuar 13 pacientë; në 2007 janë trajtuar 11 pacientë.
Referuar, praktikave më të mira në botë, një alternative mjaft e vlerësuar, mbetet aplikimi i transplantit të veshkës (zëvendësimi i veshkës së dëmtuar me atë të një dhuruesi të përshtatshëm) për këta pacientë, realizim i cili nga ana e tij, për sistemin shëndetësor paraqet kufizimet e veta për shkak të situatës dhe kushteve teknike, që ofron vendi, dhe kostove të konsiderueshme, të domosdoshme për të ngritur kapacitetet teknologjike dhe njerëzore në këtë drejtim.
Duke patur parasysh që, vetë kostoja vjetore, e trajtimit me shërbim hemodialize, të pacientëve në strukturat shëndetësore vendase është më e lartë se sa kostoja e procedurës së transplantit të ofruar, kryerja e këtyre procedurave, jashtë vendit, pranë qendrës spitalore të sipërpërmendur, do të rezultojë krahas përmirësimit të ndjeshëm të cilësisë së jetës së këtyre pacienteve, edhe si një zgjidhje më shumë me kosto-efiçente për çdo rast klinik me insuficiencë renale.
Kryerja e transplantit për disa pacientë do të krijojë me tepër hapësirë dhe do të ul shtrëngesën e cila paraqitet shpesh herë në trajtimin e pacientëve të tjerë në shërbimin e Hemodializës dhe përmirësimin e aksesit të tyre në këtë shërbim.
Një nga prioritetet e Ministrisë së Shëndetësisë është kryerja e transplantit të veshkës në vendin tonë. Për këtë MSH në bashkëpunim me Interreg III ( projek italian ) po investojnë për ngritjen e sallave të operacionit me pajisje bashkëkohore dhe trajnimin e stafit mjeksor për të mundësuar transplantin e veshkave edhe në Qendrën Universitare Spitalore më të madhe në vend. Njëkohësisht, MSH është e hapur edhe për të gjitha klinikat private të liçensuara në vëndin tonë, të cilat plotësojnë kushtet dhe standartet, për të bashkëpunuar dhe mundësuar transplantin e veshkave për pacientët shqiptarë, për të përmirësuar cilësinë e jetës së pacientëve.
Qytetarë!
Denonconi korrupsionin në sistemin shëndetësor në 069 20 24 322
Tirane, me 09 Korrik 2008 |