Intervistë me Ministrin e Shëndetësisë, Nard Ndoka
Nëse do të bënit një analizë të punës suaj në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, cilat janë arritjet me të cilat do të krenoheshit?
Sistemi shëndetësor për fat të keq ka patur shumë probleme gjatë këtyre viteve. Në tërësinë e vet, ky sistem ka lëvizur më ngadalë, duke pësuar vetëm reforma periferike dhe të pjesshme, çka në të vërtetë, kur erdha unë në krye të tij, më ngjante me një ndërmarrje të madhe socialiste. Pikësynimi im i parë, pas ardhjes në krye të këtij dikasteri ka qënë reformimi i tij, kryerja e reformave ligjore dhe institucionale, për të sjellë këtë sistem në parametrat që sistemet shëndetësore kanë në vendet e Europës Perendimore. Ky është edhe një detyrim, që vjen nga nënshkrimi i marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, por edhe një objektiv që Shqipëria i ka caktuar vetes në rrugën e saj për integrimin në Nato dhe në Bashkimin Europian. Vendimi i parë që morra, kur erdha në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, ishte vendosmëria për të vazhduar me reformat, pamvarësisht kundërshtimeve, rezistencës që hasej, qoftë për shkak të mentalitetit, qoftë për shkak të grupeve të ndryshme të interesit, të cilat kishin sistemuar interesat e tyre në atë klimë bllokuese që gjeta.
Përfundimisht mund të them se kemi përfunduar dhe miratuar Strategjinë e Sistemit Shëndetësor 2007-2013, i cili është një dokument shumë i rëndësishëm që përmban platformën tonë në drejtimin dhe zhvillimin e sistemit shëndetësor në vitet që vijnë.
Ndërkaq, ne për herë të parë sollëm në krye të institucioneve shëndetësore menaxherë, në vend të mjekëve, të cilët praktikisht, duhet të merren me profesionin e tyre. Mund the them me bindje se emërimi i ekonomistëve dhe menaxherëve në krye të institucioneve shëndetësore e ka rritur efektivitetin e përdorimit të fondeve për shëndetësinë, të paktën me 30 përqind.
Ne gjithashtu ecëm në rrugën e privatizimit të shërbimeve ndihmëse në spitale, si kuzhina dhe hoteleria dhe krijuam kushtet edhe për privatizimin e urgjencave.
Edhe kjo praktikë e re do të ndikojë ndjeshëm në rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj pacientëve.
Ministria e Shëndetësisë arriti të shpërndajë fondet e Grantit Konkurrues 2007 për Shëndetësinë. U evidentuan dhe u shqyrtuan të gjitha kërkesat e ardhura nga komunat dhe bashkitë e vendit, duke klasifikuar si prioritare komunat dhe bashkitë ku mangësitë për qendra shëndetësore dhe ambulanca ishin më të mëdha. Kështu duke iu referuar fondit limit prej 800 milionë lekësh, u financuan projektet për ndërtimin e 316 qendrave shëndetësore dhe ambulancave, me një vlerë prej 450 milionë lekësh. Ndërkaq, u financua nga Ministria e Shëndetësisë rikonstuksioni i 104 qendrave shëndetësore (kryesisht të qendrave të komunave), të cilat kanë pësuar një amortizim të ndjeshëm në vite. Gjithashtu do të rikonstruktohen edhe disa poliklinika në bashkitë e vogla. Vlera e këtij fondi është 220 milionë lekë. Por këto janë vetëm një pjesë e investimeve që janë realizuar me sukses pa përfshirë projektet e mëdha siç janë spitali “Nënë Tereza”, Spitali rajonal i Shkodrës, i Elbasanit, i Vlorës etj. Ndërkohë këtë vit përuruam fillimin e punimeve për ndërtimin e spitalit rajonal të Kavajës, një investim që kap vlerën e 8.82 milionë dollarëve.
Pra në përgjithësi, me gjithë vështirësitë, proçesi i investimeve në shëndetësi ka ecur sipas parashikimeve, ndërkohë që kemi projekte akoma më ambicioze për vitin e ardhshëm.
Cilat janë pikat e dobëta të spitaleve apo dhe të sistemit shëndetësor aktualisht në vend?
Nëse i shikon me sy kritik mund të zbulosh shumë pika të dobëta të cilat duhen përmirësuar. Ne ende nuk kemi një rrjet spitalor modern, të pajisur me teknologjinë e duhur mjekësore dhe me kushtet e tjera që e bëjnë këtë shërbim të krahasueshem me atë që ofrohet nga spitalet në vendet e BE-së, për shembull, apo edhe në rajon. Për fat të keq, edhe aparaturat mjekësore që disponojmë shpesh nuk funksionojnë, kurse blerja e pajisjeve të reja ose e ndonjë pjese që duhet zëvendësuar kalon nëpër procedura të gjata, duke i lënë pacientët pa shërbimin e nevojshëm. Ka edhe plot mungesa të tjera, që herë krijohen nga keqmenaxhimi dhe papërgjegjmëria e drejtuesve, e herë nga mungesa të tjera objektive. Ka ndodhur shpesh që pacientët të blejnë barna të caktuara duke qenë të shtruar në spital dhe kjo është një situatë e papranueshme. Ne do t’i japim fund kësaj gjendjeje që ka mbisunduar prej vitesh në spitalet tona. Ndërkaq i dobët ka qenë edhe shërbimi hotelier, kuzhina, etj.
Drejtoria e QSUT-së po rishikon listën e barnave që marrin pacientët në këtë qendër dhe këtë vit në këtë spital do të futen alternativat më të lira, pasi buxheti që i është dhënë nuk i mjafton për të siguruar të paktën atë listë barnash që ishte vjet. A nuk mendoni se duke futur ilaçet më të lira do të ulet cilësia e shërbimit dhe besimi i pacientëve? Dhe për më tepër kjo ulje e buxhetit të QSUT-së nuk mendoni se do të ketë një kosto në përformancën e saj?
Eshtë normale që lista e barnave të rishikohet çdo vit. Në përgjithësi në këtë listë parashikohen nevojat që ka spitali, duke iu referuar eksperiencës së viteve të mëparshme. Ndërkaq, çdo vit në treg hyjnë medikamente të rinj, që kanë një efektshmëri më të lartë dhe një kosto më të arsyeshme, falë përparimit të industrisë farmaceutike. Procedurat e blerjes së ilaçeve janë të rregulluara me ligj. Në hartimin e buxhetit të këtij spitali, për blerjen e barnave është parashikuar mbulimi i nevojave të këtij spitali. Madje mund të them se buxheti për QSUT-në është dyfishuar. Natyrisht, mundësitë tona financiare janë të limituara, pamvarësisht se shëndetësia është prioritet i qeverisë dhe ka një rritje të ndjeshme të buxhetit për shëndetësinë, çka sigurisht do të ndikojë në cilësinë e shërbimeve të ofruara, pra edhe në cilësinë e barnave që do të përdoren në spitale.
Nga ana tjetër ne jemi të vendosur t’i japim fund një praktike sipas së cilës barnat që bliheshin për nevojat e spitalit, shiteshin nën dorë, ose tregtoheshin jashtë ambienteve të tij. Ne jemi të vendosur të luftojmë çdo lloj abuzimi por, nga ana tjetër, ne në asnjë rast nuk do të lejojmë mungesa që shkaktojnë probleme në trajtimin e pacienteve apo ulje të performancës së spitalit “Nënë Tereza. Përkundrazi, deri në fund të vitit 2009 Spitali “Nënë Tereza”, do të jetë një nga spitalet më të mirë në Ballkan.
Flitet shumë për korrupsionin e bluzave të bardha. Cila është strategjia juaj për minimizimin e këtij fenomeni? A mendoni se me pushimin nga puna të dy infermierëve dhe me 10 vërejtje me paralajmërim, zgjidhet ky problem?
Së pari unë dua të them se kemi një personel mjekësor të përkushtuar, human dhe të kualifikuar, i aftë të përballojë sfidat e shërbimit të sotëm shëndetësor. Askush nuk mund të errësojë punën dhe përkushtimin e qindra dhe qindra profesorëve dhe mjekëve, që edhe në kushte të vështira, u gjendën afër mijëra pacientëve dhe shpëtojnë me mijëra jetë çdo vit. Kjo është e para.
Së dyti, midis gjithë këtyre mjekëve dhe profesorëve humanë dhe të përkushtuar, ka edhe individë abuzues, individë që nxijnë imazhin e bluzave të bardha. Ne kemi treguar tolerancë zero ndaj çdo rasti të abuzimit apo të korrupsionit në bluzat e bardha. Sigurisht që ka edhe individë abuzues, por ne po ecim në dy rrugë për kufizimin e korrupsionit, të abuzimit me pacientët.
Së pari ne po e reformojmë sistemin. Tashmë është gati Ligji bazë i shëndetësisë, i cili do të rregullojë funksionimin e sistemit shëndetësor.
Nga ana tjetër ne hetojmë çdo rast të konstatuar dhe çdo ankesë të qytetarëve. Bashkëpunimi me qytetarët është një moment shumë i rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit. Unë edhe në këtë intervistë përsëris ftesën time për qytetarët: denonconi çdo rast të abuzimit me ju. Unë i garantoj qytetarët se fjala e tyre do të dëgjohet dhe do të trajtohet me seriozitetin më të madh.
Shpeshherë në media apo edhe tek “Urdhri i Mjekut”, familjarët ngrenë akuza ndaj mjekëve për mjekim të gabuar, që në disa raste përfundojnë me vdekje. Ministria apo edhe vetë drejtoritë e spitaleve a kanë analizuar ndonjëherë të gjitha rastet e vdekjeve në spitale për të nxjerrë shkaktarët e vërtetë? Dhe për më tepër a është marrë ndonjë masë kundër mjekëve?
Midis mijëra rasteve që trajtohen në spitalet tona, sigurisht, mund të ketë edhe një përqindje rastesh të diagnostikimit të gabuar dhe për pasojë të trajtimit të gabuar. Kostoja e gabimeve në mjekësi është shumë e rëndë se mund të kushtojë jetë njerëzish.
Ne secilin rast e trajtomë me seriozitetin më të madh. Çdo spital është i detyruar të analizojë rastet e vdekjeve të ndodhura në spitalet e tyre. Ndërkaq, Ministria e Shëndetësisë bën analizën e vdekjeve të grave në lindje, rast për rast, pa asnjë neglizhim. Kur kemi raste të denoncuara, ose raste vdekjesh të grave në lindje, Ministria e Shëndetësisë krijon grupe pune të përbërë nga specialistë të spitaleve universitare. Ky grup eskpertësh shkon në vendin e ngjarjes, analizon kartelën mjekësore dhe nxjerr shkaqet e vdekjes. Në përfundim, ai bën edhe rekomandimet përkatëse, të cilat ne i trajtojmë me shumë seriozitet.
QSUT-ja ka kërkuar shpesh që të administrojë vetë të ardhurat dytësore, duke premtuar se nuk do të ketë më probleme të mungesës së medikamenteve. Pse ngurrohet në dhënien e kësaj të drejte dhe a ka ndonjë projekt për daljen nga kriza aktuale?
Së pari nuk kemi të bëjmë me një krizë në QSUT për shkak të përdorimit ose jo prej tyre të të ardhurave dytësore. Gjithçka është në studim dhe në kuadrin e reformës. Do të zgjidhet edhe çështja e përdorimit të të ardhurave dytësore në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi.
Gjatë vitit të kaluar shumë herë ka pasur probleme me furnizimin me medikamente të spitaleve për shkak të dështimit të tenderave. Cila është zgjidhja për këtë vit?
Në përgjithësi skema ka funksionuar. Ka patur edhe vështirësi, sigurisht, por në të gjitha rastet ndërhyrja jonë ka qenë energjike. Sigurisht janë krijuar vështirësi edhe nga procedurat e ngarkuara, edhe nga ndërhyrjet e APP-së. Këtë vit i kemi marrë të gjitha masat që situata të tilla të mos përsëriten dhe furnizimi me barna i spitaleve të realizohet sipas planit.
Çfarë është bërë për akreditimin e personelit mjekësor (mjekë dhe infermierë). Po për spitalet a ka një strategji të akreditimit të cilësisë së tyre?
Nuk bëhet akreditim i personelit, po akreditim i institucioneve shëndetësore, qofshin këto shtetërore apo private.
Akreditimi, megjithatë është një proces i domosdoshëm për të parë performancën e ofruesve të shërbimeve shëndetësore. Për këtë Ministria e Shëndetësisë, nëpërmjet Qendrës Kombëtare të Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit, të ngritur për këtë qëllim, është duke punuar fort.
- Po punohet intensivisht për reformimin e procesit te vlerësimit të kompetencave profesionale të personelit dhe institucioneve shëndetësore.
Për personelin po punohet për kalimin nga punësimi në bazë të diplomës, në atë të kalimit në filtrin e liçencës, duke parashikuar që pas diplomimit, të kryhet praktika e detyruar (e mbikqyrur) dhe provimi për të patur të drejtën e ofrimit të shërbimit në mënyre të pavarur.
- Po punohet për procesin e çertifikimit dhe riçertifikimit për specialistët e mjekësisë të cilët pas liçensimit do të specializohen në një fushë të caktuar të mjekësisë dhe do të çertifikohen.
E reja është se do të riçertifikohen për të bërë rifreskimet e nevojshme të njohurive e mos të ngelen më atë çka mësojnë gjatë specializimit.
Për akreditimin e institucioneve shëndetësore, ka përfunduar strategjia për akreditim , si dhe është përcaktuar metodologjia e procesit të akreditimit.
Kanë përfunduar dhe janë miratuar standartet për spitalet, të cilët kanë filluar të mbikqyren në 12 spitalet rajonale të vendit, si nga vetë institucionet ashtu dhe nga inspektimi i jashtëm.
Gjithashtu, nën drejtimin e Qendrës së Akreditimit, po punohet për përgatitjen e standarteve në kujdesin parësor, dentar, farmaceutik, laboratorëve dhe liçensimit. Për këtë po bëhen edhe rregullimet e nevojshme ligjore.
Gjithë ky proces po realizohet duke përfshirë gjithë grupet e interesit dhe institucionet e interesuara.
Po problemi i hotelerisë kur do të zgjidhet dhe familjarët të mos jenë të detyruar të blejnë batanije apo çarçafë, kur një i afërm i tyre shtrohet në spital?
Shërbimi i hotelerisë do të kontraktohet me kompani private. Ne tashmë jemi në fazën e realizimit të këtij projekti, i cili do të sjellë ndryshime rrënjësore në shërbimin e hotelerisë. Ndërkaq, vetë spitalet do të çlirohen nga barra e shërbimeve mbështetëse, duke krijuar më shumë mundësi për t’u përqëndruar në shërbimin shëndetësor.
Përsa i përket listës së ilaçeve të rimbursueshme, cilat janë ndryshimet që do të pësojë ajo? A do të preken kategori të caktuara nga lista e re dhe cilat do të jenë llojet e ilaçeve që do t’i shtohen apo hiqen kësaj liste?
Lista e barnave të rimbursueshme analizohet çdo vit nga një komision i veçantë i ngritur nga Ministria e Shëndetësisë. Sigurisht që kjo listë parashikon trajtimin e qytetarëve në nevojë me barna që sigurojnë standardet e pranuara gjërësisht, sepse misioni ynë është që t’i shërbejmë me të gjitha mundësitë shëndetit të njerëzve. Sigurisht në listë përfshihen edhe barna të reja, të cilat kanë cilësi më të mira, por këto bëhen gjithnjë në përputhje me studimin e grupit të ekspertëve. E rëndësishme është që të shtojmë kontrollin dhe të shmangim abuzimet e mundshme. Ne synojmë që fondi i parashikuar për rimbursimin e barnave të shfrytëzohet me efikasitet të plotë.
Cilat janë prioritetet e Ministrisë së Shëndetësisë për 2008-ën dhe ku synohet të investohet më shumë?
Së pari, ne do të miratojmë Ligjin bazë të shëndetësisë dhe të financimit shëndetësor. Miratimi i këtij ligji do të çojë në modernizimin e Sistemit Shëndetësor, përshtatjen e tij me format organizative dhe standartet bashkëkohore, duke e vënë gjithcka mbi baza ligjore. Për fat të keq shëndetësia ende qeveriset me një ligj të miratuar në vitin 1964.
Së dyti, do të vazhdojmë me investimet në spitalet kryesore rajonale si dhe në spitalin universitar “Nënë Tereza” në Tiranë. Një investim i rëndësishëm është ndërtimi i spitalit alternativ për Tiranën, ndërkohë që do të vazhdojë sipas projektit ndërtimi i Spitalit të ri të Kavajës.
Në po mbështesim investimet private në shëndetësi, duke i parë spitalet private si një mundësi alternative konkuruese.
Do të zgjerojmë shërbimet e reja që ofron sistemi ynë shëndetësor, të cilat më parë ofroheshin vetëm jashtë vendit.
Pas futjes së mamografisë dhe kirurgjisë celioskopike, këtë vit do të realizojmë në vend transplantin e e veshkave dhe implantin koklear, që është një arritje tjetër e rëndësishme për shëndetësinë shqiptare.
Do të forcojmë edhe më tej rolin e ISKSH-së në administrimin e shërbimeve dhe zgjerimin e skemës së kostove shëndetësore edhe për spitalet private.
Pra e thënë shkurt, kemi objektiva shumë të rëndësishëm për këtë vit, të cilët besojmë se do t’i realizojmë me suskes. Tashmë sistemi është përfshirë nga reforma dhe qytetarët çdo ditë e më shumë po perceptojnë ndryshimet pozitive. Ne jemi të vendosur të mbajmë premtimin e kësaj maxhorance që shëndetësinë e caktoi si prioritet të qeverisjes së saj.
Qytetarë!
Denonconi korrupsionin në sistemin shëndetësor në 069 20 24 322
Tirane, me 11 Shkurt 2008 |