Zhvillohet Mbledhja e Komisionit Ndërsektorial për zbatimin e Ligjit Anti – duhan
MSH: Përcaktohen rregullat e reja të masave antiduhan
50% e produkteve të duhanit paralajmërime për rreziqet e shëndetit; në janar 2009 asnjë produkt duhani pa cilësinë dhe kriteret e përcaktuara nga ligji
Sot u zhvillua mbledhja e Komitetit Ndërsekatorial për Mbrojtjen e Shëndetit nga Produktet e Duhanit, e para mbledhje për vitin 2008. Kryetari i këtij Komiteti, Ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, në fillimin e mbledhjes theksoi ecurinë e deritanishme të zbatimit të ligjit antiduhan. Ndoka tha se megjithëse është një ligj që ndeshet me një mentalitet të vështirë dhe me vështirësi në zbatim, në tërësi për ne ka qenë i suksesshëm”.
“Në zbatim të ligjit, ne arritëm të heqim reklamat e duhanit në çdo vend publik, vendosëm në çdo paketë sigla paralajmëruese në gjuhën shqipe, ushtruam kontrolle dhe kemi vendosur një numër të madh gjobash në njësi shtetërore, publike e private”, tha Ndoka, duke shtuar se nisur nga vështirësitë që ka zbatimi i plotë i këtij ligji edhe në vendet e tjera të BE-së, perfshirë vendet fqinje, zbatimi i tij në vendin tonë ka një ecuri të mbarë.
Në lidhje me problemet në zbatimin e plotë të ligjit Ministri theksoi nevojën për një bashkëpunim më të mirë të strukturave të Policisë Bashkiake me inspektorëve sanitarë. Për këtë Ministrit tha se këtë vit “kemi parashikuar disa rregullime ligjore për të patur një harmonizim më të mirë me pushtetin vendor dhe policinë e shtetit në vjeljen e gjobave, detyrë që aktualisht nuk është përgjegjësia e jonë”.
Periudha janar- shkurt 2008 e zbatimit të këtij ligji, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, është karaktertizuar nga një angazhim serioz i Drejtorive te Shëndetit Publik në rrethe. Konkretisht nga verifikimi operativ i situatës në 15 rrethe rezulton se janë vendosur një numër i lartë gjobash në Tiranë, Fier, Berat, Korçë, Malësi e Madhe, Ersekë, etj, si dhe u kritikuan Vlora, Gjirokastra e Elbasani për masa të pamjaftueshme në zbatimin e ligjit antiduhan.
Në masat e reja për vazhdimin e reformës dhe të masave antiduhan, Ministria e Shëndetësisë ka planifikuar ngritjen e një laboratori brenda muajit Tetor 2008, pranë Sektorit te Abuzimit me Substancat ne Institutin e Shëndetit Publik për parametrat qe parashikohen ne ligj, me qëllim që të informojë publikun për cilësinë e produkteve të duhanit.
Ministria e Shëndetësisë, gjithashtu ka vendosur që në të gjitha produktet e duhanit do të shfaqet dhe numri jeshil pa pagesë (0800 47 47), si një mundësi tjetër për ofrimin e asistencës për lënien e duhanit. Së shpejti, dalin nga botimi katër broshura me metodikat më të fundit për lënien e duhanit, duke e plotesuar kështu edhe në një tjeter drejtim mbështetjen për publikun në kuadër të heqjes dorë nga produktet e duhanit.
Në përfundim të mbledhjes Komiteti miratoi ndryshimet në vendimin për “Vendosjen e paralajmërimeve të detyruara shëndetësore dhe informacioneve të tjera mbi paketat e produkteve të duhanit”.
Tre ndryshimet më të rëndësishme ishin vendosja e raportit të paralajmërimeve të detyruara shëndetësore në paketat e duhanit, të cilat do të jetë 50% në pjesën e përparme dhe 50% në pjesën e pasme të paketave. ndryshimi i dytë ka të bëjë me vendosjen njëherësh të 14 paralajmërime shtesë në produktet e duhanit.
Ndryshimi i tretë dhe më i rëndësishëm ishte hyrja në fuqi e vendimeve të reja rregulluese me 1 janar 2009. Gjatë 10 muajve të ardhshëm firmat dhe kompanitë e prodhimit të produkteve të duhanit do të kenë kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur për prodhimin e ri.
Qytetarë!
Denonconi korrupsionin në sistemin shëndetësor në 069 20 24 322
Tirane, me 11 Shkurt 2008 |