Ministria e Shëndetësisë bën të njohura kriteret e licensimit të subjekteve private në fushën e shëndetësisë
MSH: Masa liberalizuese kundër monopolit në tregun farmaceutik
Reforma e re në sistemin e licensimit synon afrimin e legjislacionit me standardet e BE-së dhe dhënien fund të praktikave të gabuara të së kaluarës
Ministria e Shëndetësisë, në kuadër të transparencës për publikun, njofton se pranë saj ushtron aktivitetin Komisioni i Licensimit, i cili bën licencimin e subjekteve private në fushën e Shëndetësisë. Detajet, kriteret dhe mënyrat e funksionimit të marrëdhënieve midis subjekteve e personave të interesuar dhe Komisionit janë parashikuar me ligj dhe rregullore të posacme, të cilat janë në dispozicion të publikut në faqen tonë zyrtare të internetit www.moh.gov.al. Ministria garanton se të gjitha veprimet e këtij Komisioni bëhen në përputhje të plotë me afatet dhe kriteret ligjore që janë në fuqi dhe regulloret e ndryshme të miratuara në vite me urdhër Ministri.
Dhënia e licensave për aktivitet privat në fushën e shëndetësisë është një proces me rëndësi, pasi ushtrimi i këtij aktiviteti ka të bëjë direkt me jetën e qytetarëve dhe me shëndetin e tyre. Kjo është arsyeja që kriteret dhe rregullat e funksionimit kanë qenë gjithnjë në vemendjen e posacme të organeve ligjvënëse dhe të vendimmarrjes ekzekutive.
Për shkak të problemeve dhë vështirësve të krijuara gjatë viteve të para të tranzicionit si dhe procesit kompleks por të rëndësishëm të privatizimit të shërbimit farmaceutik në Shqipëri, në vitet e shkuara janë kontstatuar raste të veprimit dhe të vendimarrjes, në ndryshim me kriteret dhe vendimmarrjen e periudhës së viteve të fundit. Pasojat e këtij zhvillimi janë të njohura për publikun dhe ditët e fundit disa raste janë bërë publike edhe përmes medias, pavarësisht se kjo e fundit jashtë etikës profesionale ka patur tendenca të kalimit të përgjegjësive tek drejtuesit e tanishëm të sistemit shëndetësor dhe të Ministrisë së Shëndetësisë.
Në respekt të publikut të gjerë Ministria dëshiron të njoftojë se në kuadër të liberalizimit dhe decentralizimit të procedurave të licencimit dhe me porosi të Kryeministrit të Shqipërisë në muajin Qershor të vitit 2006 u ngrit grupi task forcës në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Ekonomisë, etj për të studiuar bazën ligjore për licencimin e subjekteve private në fushën e shëndetësisë dhe për të bërë propozime konkrete për ndryshime ligjore. Nga përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë pjesë e grupit të taskë forcës është propozuar heqja e kriterit të respektimit të distancës në hapjen e farmacive dhe reduktimin e stazhit të punës për farmacistët. Ky kusht i përcaktuar në ligjin për Barnat dhe Shërbimin Farmaceutik përbën një kufizim të hyrjes në treg, prishjen e konkurrencës dhe regullave të lojës.
Në këtë mënyrë, të gjitha “faktet” e dhënë dje në ndonjë media, duhet sqaruar se janë farmaci të licencuar nga komisionet e mëparëshme të licencimit. Për këtë ka shërbyer edhe një urdhër i Ministrit të Shëndetësisë Nr.203 datë 15.04.2004 “Per Heqjen e Distancës së Farmacive” urdhër I cili ka qënë në fuqi deri më 28.04.2004 dhe më pas u shfuqizua.
Komisioni aktual i licencimit ka miratuar farmacitë referuar gentplanit egzistues, duke marrë në konsideratë edhe periudhën e gjatë kohore që këta farmacist kanë ushtruar aktivitetin e tyre në farmacitë e miratuara më parë.Komisioni i licencimit në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional ka vlerësuar si një element të rëndësishëm edhe kërkesa e bërë nga disa kryetarë të njësive bashkiake për nevojën e hapjes së farmacive të reja krahas atyre egzistuese, indikuar kjo nga numri i madh i popullsië që banon në teritorin e këtyre njësive bashkiake. Ligji për “Baranat dhe Shërbimin Farmaceutik parashikon hapjen e farmacive të reja duke marrë në konsideratë edhe numrin e popullsië.
Duke marrë spunto edhe nga prononcimi i bërë nga Presidenti i Urdhrit të Farmacistëve, vlen të theksohet se një pjesë e farmacive, të cilat janë miratur pa distancë, janë bëre gjate kohës kur vetë ai ka qënë Drejtor i Drejtorisë Farmaceutike në Ministrinë e Shëndetësisë dhe për rrjedhojë edhe anëtar i rëndësishëm në përgatitjen dhe vendimmarrjen e komisionit të Licencimit. Në këtë pikë, MSH bashkohet me shqetësimin e tij dhe ndan vlerësimin se ai është një nga personat kryesore përgjegjës, për një situatë, e cila fatmirësisht nuk ekziston më, për shkak të vendosmërisë së stafit dhe ekipit drejtues të Ministrisë së Shëndetësisë, për të mos lejuar më vendime arbitrale kundër konkurencës dhe pro monopoleve në tregun farmaceutik.
Qytetarë!
Denonconi korrupsionin në sistemin shëndetësor në 069 20 24 322
Tirane, me 12 Shkurt 2008 |