MSH: Marrëveshje shëndetësore me rrjetin spitalor të Fondacionit St. Franziskus Stiftung në Gjermani
Ndoka: 300 trajtime për pacientët, kualifikim për mjekët në Gjermani
Pjese e marrëveshjes binjakëzimi midis spitaleve, kualifikimi i stafit mjekësor dhe asistenca me programe mësimore
Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Shqipërisë Nard Ndoka dhe Motër Diethilde Bővingloh, përfaqësuese e Fondacionit St. Franziskus Stiftung Münster në Gjermani, nënshkruan sot, në Ministrinë e Shëndetësisë së Shqipërisë, marreveshjen për bashkëpunim në fushën e mjekësisë.
Ministria e Shëndetësisë së Republikës së Shqipërisë dhe Fondacioni “St. Franziskus Stiftung Münster“ në Gjermani, nga dëshira për të nxitur marrëdhëniet dy-palëshe në fushën e mjekësisë dhe duke qenë të bindur se ky bashkëpunim do të kontribuojë në përmirësimin e gjendjes shëndetësore të popullsisë shqiptare, rane dakort të zhvillojnë dhe zgjerojnë bashkëpunimin e tyre në fushën e shëndetit dhe do të nxisin shkëmbimet e ndërsjellta të eksperiencës së tyre.
Këto shkëmbime do të jenë kryesisht nëpërmjet:
- bashkëpunimit midis shoqatave shkencore dhe “St. Franziskus Stiftung Münster“ në çështjet e interesit të përbashkët në fushën e mjekësisë;
- pjesëmarrjes së specialistëve në konferenca e seminare mjekësore të organizuara në të dy vendet.
- shkëmbimit të informacioneve mbi çështjet që lidhen me shëndetin publik, shëndetin mjedisor, ushqimin dhe materialet higjenike.
Pala gjermane do të lehtësojë vizita të shkurtra të shkencëtarëve, kërkuesve dhe specialistëve të tjerë në fushën e shëndetësisë me qëllim shkëmbimin e eksperiencës.
Palët Kontraktuese bien dakord që një numër jo më i madh se 300 nënshtetas shqiptarë të mund të kurohen çdo vit në spitalet e fondacionit St. Franziskus Stiftung Münster. Procedura e dërgimit të pacientëve do të jetë ajo e aplikuar edhe në rastet e pacientëve të dërguar në shtete të tjera, në varësi nga sëmundja, gjendja shëndetësore e pacientëve dhe mundësitë e spitaleve shqiptare për trajtimin e këtyre sëmundjeve.
Pala gjermane u angazhua gjithashtu se do të akordojë sipas Legjislacionit Gjerman një numër të arsyeshëm bursash për mjekët shqiptarë me qëllim që të marrin specializim mjekësor. Ky specializim do të kryhet në spitalet e fondacionit St. Franziskus-Stiftung. Ajo do të kontribuojë, brenda mundësive, nxitjen e programeve arsimore për grupe të ndryshme profesionale në spitalet shqiptare (psh. për infermiere, për shërbimin mjekësor, për nëpunësit e administratës shëndetësore dhe ekonomike). Se treti, pala gjermane do të bëjë të mundur marrjen e vizave për pacientët shqiptarë në një kohë sa më të shkurtër, maksimumi 2-3 ditë, pranë Ambasadës Gjermane në Tiranë.
Pala gjermane ndihmon Ministrinë e Shëndetësisë së Republikës së Shqipërisë nëpërmjet programeve për zhvillimin e kujdesit shëndetësor parësor, kujdesit shëndetësor spitalor dhe organizimit të shërbimeve mjekësore në përgjithësi (p.sh. përkujdesja në ushqim e akomodim).
Palët ranë gjithashtu dakort të nxisin krijimin e binjakëzimit midis spitaleve gjermane me ato shqiptare.
Qytetarë!
Denonconi korrupsionin në sistemin shëndetësor në 069 20 24 322
Tirane, me 12 Qershor 2008 |