MSH : Sigurohen medikamentet falas për të sëmurët me HIV / AIDS
Marrëveshja mes MSH dhe UNICEF siguron antiretroviralet për fëmijët me HIV / AIDS
MSH : Kostoja e medikamenteve të blera rreth 170 mijë dollarë
Është detyrim ligjor i shtetit të sigurojë çdo lloj kujdesi shëndetësor përfshirë dhe barnat për mjekimin ambulator ose në spital për qytetarët shqiptarë të sëmurë me HIV/AIDS.
Shteti shqiptar ka siguruar antiretroviralet e nevojshëm për trajtimin e të sëmurëve me HIV/AIDS që kanë nevojë për to. Të sëmurët me HIV/AIDS i përfitojnë falas antiretroviralet. Në bazë të një marrëveshje midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe UNICEF, UNICEF siguron prokurimin e medikamenteve sipas specifikimeve të Ministrisë së Shëndetësisë. Sigurimi i antiretroviraleve ka nisur në 2004. Shteti shqiptar paguan për medikamentet e nevojshme.
Duke filluar nga viti 2008, përmes asistencës së Global Fund, sigurohen medikamente specifike (antiretrovirale të gjeneratës së dytë) për persona të sëmurë me HIV/AIDS që shfaqin reziztencë ndaj medikamenteve të gjeneratës së parë.
Aktualisht, numërohen 16 fëmijë dhe 49 të rritur të sëmurë me HIV/AIDS që kanë nevojë për mjekimin specifik me medikamente që shënjestrojnë virusin HIV, shkaktar të sëmundjes. Medikamente të tilla, të quajtura antiretrovirale, i jepen pacientëve të infektuar nga virusi HIV që kanë një ngarkesë të caktuar virale në gjak dhe një kompromentim në një nivel të caktuar të imunitetit. Pra, këto medikamente jepen sipas gjykimit të mjekut infeksionist në QSUT, bazuar në kritere mjekësore strikte.
Organizata e Kombeve të Bashkuara ka cilësuar mbrojtjen e shëndetit si “një nga të drejtat themelore të njeriut”.
Kuadri ligjor ekzistues në Shqipëri merr në konsideratë të drejtat e njeriut lidhur me parandalimin dhe kontrollin e HIV/AIDS.
Neni 55 i Kushtetutës përcakton se:
“ 1. Të gjithë qytetarët përfitojnë të drejtën për kujdes shëndetsor të garantuar nga Shteti.
2. Cdokush ka të drejtë për sigurim shëndetësor sipas procedurave të përcaktuara me ligj.”
Duke iu referuar kuadrit ligjor nderkombëtar dhe normës kushtetuese, e drejta për shëndet shfaqet si një e drejtë globale, e cila nuk përfshin vetëm dhënien e kurave shëndetësore, por edhe mbrojtjen e faktorëve të tjerë që cilësohen themelore për mbrojtjen e shëndetit, si higjena, mjedisi dhe faktorë socialë dhe ekonomike që influencojnë direkt shëndetin e njerëzve.
E drejta për mbrojtjen e shëndetit, parim kushtetues, është një e drejtë subjektive për qytetarët, të cilët janë titullarë të kësaj të drejtë dhe mund të kërkojnë përmbushjen dhe respektimin e saj në mënyrë të drejtëpërdrejtë përballë gjykatës.
Qytetarë!
Denonconi korrupsionin në sistemin shëndetësor në 069 20 24 322
Tirane, me 13 Shkurt 2008 |