Ministri Ndoka përuron rikonstruksionin e maternitetit në qytetin e Lezhës
Falë investimit të Ministrisë së Shëndetësisë, shtëpia e lindjes ka tashmë pavione bashkëkohore dhe 24 orë ujë dhe drita
Materniteti i Lezhës ka tashmë pavione bashkëkohore dhe ujë e drita pa ndërprerje në 24 orë, të cilat janë mundësuar përmes një investimi prej 9 milion lekësh të Ministrisë së Shëndetësisë.
Përfundimi i punimeve për rikonstruksionin e këtij spitali u përurua sot nga ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin dhe zv/ministri i Shëndetësisë Arben Ivanaj, prefekti i qarkut të Lezhës Njazi Reçi, kryetari i këshillit të qarkut Bardh Rica, si dhe autoritete të tjera lokale.
Drejtori i maternitetit, doktor Zef Zefaj falënderoi në emër të institucionit që ai drejton ministrin Ndoka për interesimin që ka treguar në drejtim të përmirësimit të kushteve në këtë maternitet. Doktor Zefaj vuri në dukje ndërhyrjet për eliminimin e lagështirës në mjediset e këtij spitali, riparimin e kolonave hidro - sanitare, sigurimin e energjisë elektrike pa ndërprerje përmes një gjeneratori bashkëkohor, sigurimin e ujit duke u montuar një depo furnizuese, etj.
”Sigurimi i të gjitha këtyre kushteve do të rrisë ndjeshëm shërbimin ndaj gruas si dhe cilësinë e punës së mjekëve”, tha doktor Zefaj.
Duke vizituar mjediset e rikonstruktuara të maternitetit të Lezhës, ministri Ndoka, u shpreh se ”materniteti i Lezhës është tashmë një qendër model në vend”. ”Falë investimit të ministrisë së Shëndetësisë, spitali rajonal gjinekologjik i Lezhës, ka ujë dhe drita pa ndërprerje në 24 orë, që më parë mungonin”, tha ministri Ndoka në një prononcim për mediat.
Ministri i Shëndetësisë vuri në dukje se ”ky nuk është investimi i fundit për spitalin rajonal të Lezhës”. Ndoka theksoi, se gjatë këtij viti Ministria e Shëndetësisë ka si prioritet kryesor forcimin e mëtejshëm të spitaleve rajonale. ”Në spitalin rajonal të Lezhës do të investohet kryesisht në sigurimin e pajisjeve shëndetësore bashkëkohore, të domosdoshme për pacientët”, tha ministri Ndoka, i cili e cilësoi mjaft të mirë shërbimin në këtë spital në bazë të opinioneve të përcjella nga komuniteti i zonës.
Tirane, me 14 Janar 2008
|