Ministria e Shëndetësisë kërkon kontribute reale dhe jo sulme spekullative në përpjekjet për reformimin e sistemit shëndetësor
MSH: Reforma të thella për një sistem bashkëkohor shëndetësor
Ministria e Shëndetësisë edhe njëherë shpreh shqetësimin dhe keqardhjen e thellë për ngjarjen e fundit të plagosjes së Shefit të Kardiokirurgjisë në Qëndrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë. Ky është akt i dënueshëm, cënon integritetin e mjekëve dhe të sistemit të shëndetësisë, si dhe meriton vëmendjen e plotë të organeve të drejtësisë. Ministria e Shëndetësisë është e bindur se mjekët dhe stafet mjeksore kryejnë një funksion jetik dhe human në shoqëri, dhe si të tillë, ata meritojnë mbështetje dhe kujdes shumë më të madh nga strukturat e tjera shtetërore dhe opinioni publik.
Ky qëndrim i qartë dhe konseguent i Ministrisë së Shëndetësisë nuk ka të bëjë me fushatën spekullative dhe denigruese që ditët e fundit kanë ndërmarrë ndaj sistemit shëndetësor disa individë e grupe interesi. Ne jemi të vetdijshëm për problemet e sistemit shëndetësor të trashëguar nga e kaluara, për vështirësitë e krijuara gjatë tranzicionit si dhe për sfidat që e presin atë në të ardhmen. Shprehje e kësaj vetdije janë edhe të gjitha reformat e ndërmarra për ndryshimin e sistemit, modernizimin dhe zhvillimin e tij në parametrat organizativ, teknik e profesional të kohës. Pika më kulmore e këtyre reformave janë dy ligjet themelore të sistemit, ai për kujdesin shëndetësor dhe për financimin e shërbimit shëndetësor, ligje që pritet të bëjnë një ndarje të qartë me modelin e vjetër organizativ dhe të krijojnë një prespektive të re europiane për shëndetësinë shqiptare. Për këto dhe një sërë paketash të tjera ligjore, Ministria e Shëndetësisë ka punuar intensivisht, duke përmbushur edhe detyrimin e saj kushtetues e ligjor, si organ politikbërës në fushën e shëndetësisë.
Ndërkohë, hedhja poshtë e të gjitha arritjeve dhe përpjekja për të lincuar sistemin aktual shëndetësor, është sa e papranueshme aq edhe spekullative. Gjatë viteve të fundit janë bërë përpjekje të mëdha për tiu afruar sa më shumë synimit tonë për një kujdes shendetesor te sigurt dhe me cilesi te mire, me nje ekuiliber optimal midis barazise dhe kosto - efektivitetit. Janë realizuar investime të mëdha në infrastrukturë, në pajisje, në teknologji dhe në kualifikimin e personelit. Vetë QSUT ndodhet në një fazë të rëndësishme të modernizimit të saj nga një qëndër spitalore problematike, në një qëndër spitalore të standardeve bashkëkohore. Ministria e Shëndetësiseë është duke punuar për përmirësimin e infrastrukturës, garantimin e një niveli bazë paisjesh që përmbushin një grup specifikimesh teknike të standartizuara si dhe një niveli bazë të cilësisë së shërbimeve që i ofrohen pacientit, mbështetur kjo në racionalizimin e përdorimit të burimeve, eficiencës në përdorimin e burimeve njerëzore dhe investime të studiuara. Për këtë jemi duke punuar fort në drejtim të përmirësimit të legjislacionit, të buxhetimit dhe mekanizmave të financimit të cilët janë mjaft të rëndësishëm për përmirësimin e infrastrukturës dhe teknologjisë mjekësore si dhe forcimit të kapaciteteve njerëzore.
Përmirësimi i standarteve dhe performancës spitalore është një proces, për të cilin ne jemi të vetdijshem se është i gjatë dhe i vështirë e që kërkon një punë të madhe, por gjithashtu shprehim vendosmërinë për ta përmbushur me sukses. Përshpejtimi i përafrimit të standarteve me ato të komunitetit europian në një kohë sa më të afërt, nuk përmirësohet duke sulmuar personelin mjekësor dhe vet sistemin shëndetësor në tërësi, por me një angazhim të përbashkët të të gjithë aktorëve.
Për këtë arsye, Ministria e Shëndetësisë i kërkon gjithe aktorëve si politikbërësve, ofruesve dhe përfituesve të shërbimeve, shoqatave të profesionistëve që të përfshihen në procesin e reformimit të shërbimeve, mbasi problemet e shëndetit nuk janë probleme vetëm teë Ministrisë së Shëndetësisë, por të gjithë shoqërisë. Vetëm me këtë angazhim të përbashkët, do të arrijmë atë standart që kërkohet për të përmbushur kërkesat e kohës.
Qytetarë!
Denonconi korrupsionin në sistemin shëndetësor në 069 20 24 322
Tirane, me 14 Prill 2008 |