|
14 qershor, Dita Botërore e Dhuruesit Vullnetar të Gjakut.
MSH: “Jepni Gjak Rregullisht, shpëtoni jetë”
MSH: Cdo vit, fond i veçantë për promovimin e dhurimit falas të gjakut
MSH falenderon dhuruesit vullnetarë të gjakut
Dhurimi vullnetar i gjakut, shprehje e qartë e humanizmit njerëzor
Sot, më 14 qershor, në mbarë botën kujtohet Dita Botërore e Dhuruesit Vullnetar të Gjakut. Le të shërbejë kjo ditë për të falenderuar dhuruesit vullnetarë të gjakut, të cilët shpëtojnë dhe përmirësojnë jetë duke dhuruar gjak vullnetarisht.
Në këtë ditë duhet theksurar edhe një herë :
- nevoja për të dhuruar gjak rregullisht, në mënyrë që të parandalojmë mungesën e gjakut në spitale.
- rëndësinë e dhurimit vullnetar falas të gjakut.
Në shumicën e vendeve ku dhurimi është 100% vullnetar, kjo gjë i dedikohet rritjes së rolit të dhuruesve vullnetarë të papaguar të gjakut të cilët japin gjak rregullisht. Kështu që, rekrutimi dhe mbajtja e dhuruesve të përshtatshëm të gjakut duhet të jenë prioritare për të arritur objektivin tonë strategjik që në fund të vitit 2010, dhurimi i gjakut të jetë 100% i papaguar.
Logoja e këtij viti është “Jepni Gjak Rregullisht”, për të mbështetur programin kombëtar të gjakut, në krijimin e një bazë të qëndrueshme dhuruesish vullnetarë të cilët dhurojnë gjak rregullisht.
Aktivitetet e organizuar në kuadër të kësaj dite kanë si qëllim:
- ndërgjegjësimin e publikut për të dhuruar gjak rrregullisht sepse gjaku dhe komponentet e tij kanë një jetëgjatësi të kufizuar,
- inkurajimin e dhuruesit potencial eksistues të gjakut për të dhuruar gjak regullisht,
- ruajtjen e shëndetit të dhuruesit vullnetar, nëpërmjet rritjes së cilësisë së kujdesit ndaj tyre si faktor themelor në ndërtimin e bazës së dhuruesve të rregullt të gjakut,
- si dhe motivimin e njerëzve që të bëhen dhurues vullnetarë gjaku.
Problemi i sigurisë së gjakut vazhdon të jetë një pikë e ndjeshme për shërbimin tonë shëndetësor, përderisa sasia e gjakut të mbledhur në vend nuk plotëson si dhe sa duhet kërkesat e spitaleve dhe nevojat e pacientëve. Aktualisht, ky problem është veçanërisht i rëndësishëm, sepse prej shume vitesh po punohet për të kaluar nga sistemi i dhurimit të rregullt me pagesë në sistemin e dhurimit të rregullt pa pagesë të gjakut.
Nevojat për gjak të spitaleve tona janë në rritje sepse ka shtim të numrit të traumave të ndryshme, sëmundjeve tumorale, krahas kërkesave të vazhdueshme të pacienteve me sëmundje kronike të gjakut, veshkave etj. Në këtë kontekst, Ministria e Shëndetësisë e ka vlerësuar këtë problem tepër shqetësues në tërë kompleksitetin e tij mjekësor, social, etik dhe financiar.
Ministria e Shëndetësisë duke e parë vetëmjaftueshmërinë në gjak dhe produkte të tij si një nga prioritetet e saj, ka ndërmarë një sërë masash :
1. Fuqizimi i promocionit për dhurimin vullnetar të gjakut, në mënyrë që të rekrutohen sa më shumë dhurues vullnetarë dhe t’i kthejmë këta në dhurues të rregullt. Ky objektiv po synohet të arrihet nëpërmjet bashkëpunimit të organizmave shtetërorë të specializuar si QKTGJ, strukturat e promocionit të Shëndetit Publik me OJF si: Kryqin e Kyq Shqiptar, Shoqatën e Dhuruesve Vullnetarë, etj. Për këtë qëllim Ministria e Shëndetësisë çdo vit planifikon në buxhetin e saj një fond të veçantë për promovimin e dhurimit vullnetar falas të gjakut.
2. Në 12 qëndrat e prefekturave janë ngritur grupet të cilat do të drejtojnë promocionin për dhurimin vullnetar të gjakut, të përbërë nga mjekët e bankave të gjakut, punonjësit e promocionit të Shëndetit Publik, koordinatorëve të Kryqi të Kuq dhe Shoqatës së Dhuruesve Vullnetarë të Gjakut.
3. Këtë vit është aritur marrëveshja me KKRT për përfshirjen e promocionit të dhurimit vullnetar të gjakut si një aktivitet për të cilin nuk do të paguhet në radio dhe televizione. Ky bashkëpunim me median do të sigurojë mbështetjen e duhur për sigurimin e dhuruesve vullnetarë.
4. Ministria po bën përpjekje të mëdha për të investuar në sektorin e mbledhjes së gjakut, përpunimit të tij, në modernizimin e proçedurave të kontrollit të gjakut, të ruajtjes dhe shpërndarjes së tij sipas kërkesave të pacientëve. Aktualisht, kemi projekte me shtete të ndryshme për të kryer investime, të cilat synojnë reformimin e plotë të shërbimit të transfuzionit dhe rritjen e cilësisë së gjakut dhe produkteve të tij. Kjo është detyra jonë ligjore. Garanci për realizimin e saj është ndërthurja dhe bashkëveprimi i angazhimit tonë politik me kontributin e gjithësecilit qytetar, përmes dhurimit vullnetar të gjakut.
5. Bazuar në objektivat e Strategjisë Kombëtare për Gjak të Sigurtë, është në proçes centralizimi i testimit të gjakut për agjentë infektivë në laboratorin e Qendrës Kombëtare të Transfuzionit në Tiranë. Deri tani 95% e gjakut të mbledhur në mbarë vëndin testohet në Tiranë.
6. Ka fillur trajnimi i stafit të atyre bankave të gjakut, që janë përcaktuar të kthehen në banka gjaku rajonale dhe po investohet për t’i bërë ato të përshtatshme për të funksionuar si të tilla.
Ministria e Shëndetësisë dëshiron të falenderojë publikisht në këtë ditë të gjithë qytetarët që kanë dhuruar vullnetarisht gjak. Treguesit në rritje të dhurimit të gjakut gjatë dy viteve të fundit, dëshmojnë rritjen e ndërgjegjes dhe përgjegjësisë qytetare për njerëzit në nevojë.
Gjatë dy viteve të fundit dhurimi i gjakut është rritur me 30 %. Në vitin 2007 kishim 20129 dhurime kundrejt 14670 dhurime në vitin 2005. Kjo rritje i dedikohet rritjes së dhurimeve familjare dhe vullnetare të cilat jo vetëm kanë kompesuar humbjen e dhënieve me pagesë të vërejtur në këto dy vite, por edhe kanë kontribuar në shtimin e numrit total të dhurimeve në nivel kombëtar. Në vitin 2007 numri i dhurimeve vullnetare përbën 15 % të totalit kundrejt 11% në vitin 2005.
Megjithë rritjen e numrit të dhurime në dy vitet e fundit ende nuk është arritur mjaftueshmëria në gjak. Po t’i referohemi indekseve të mjaftueshmërisë, në vitin 2007 kemi 7dhurime/1000 banorë kundrejt 4 dhurime/1000 banorë në vitin 2005. Ndërkohë, që të jemi të mjaftueshëm në gjak duhet të kemi 40 dhurime/1000 banorë.
Këto të dhëna tregojnë që kemi shumë për të bërë në drejtim të rritjes së dhurimit papagesë, sidomos dhurimit vullnetar të gjakut.
Dhurimi vullnetar i gjakut është shprehja më e qartë e humanizmit njerëzor dhe njëherësh forma më e mirë e mbledhjes së gjakut cilësor dhe të sigurtë për pacientët në nevojë.
Prandaj në këtë ditë apelojmë të bëhemi pjesë e këtij proçesi, për të kontribuar në shpëtimin e jetës së fëmijëve, prindërve dhe të afërmve tanë në nevojë.
Qytetarë!
Denonconi korrupsionin në sistemin shëndetësor në 069 20 24 322
Tirane, me 14 Qershor 2008 |