| |
Ministri i Shëndetësisë Nard Ndoka, në ceremoninë e firmosjes së kontratave për specializantët e mjeksisë
Ndoka: Specializimet e mjekëve, një nevojë e ndjeshme për rritjen e cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarëve
Specializimet e mjekëve nisën pas një ndërprerje katër vjeçare
Ndoka - Specializantëve: Komuniteti do të jetë vlerësuesi i dijeve tuaja
MSH dhe Fakulteti i Mjekësisë, po punojnë për organizimin e specializimeve të tjera, brenda këtij viti, duke përfshirë dhe specialitete të tjera si mjeku i urgjencës, menaxhimi shëndetësor, përgatitja e nënspecialistëve, etj.
Ministri i Shëndetësisë Ndoka, mori pjesë sot në ceremoninë e firmosjes së kontratave për specializantët e shëndetësisë. Në ceremoninë e organizuar në ambjentet e hotel Tirana Internacional ishte i pranishëm edhe dekani i fakultetit të mjeksisë z. Alfred Priftanji.
Në fjalën e tij përshëndetëse, ministri Ndoka përgëzoi specializantët për shpalljen fitues në konkurimin e organizuar për specializimet në fushën e mjekësisë dhe ju uroi që të përfitojnë maksimalisht gjatë viteve të specializimit. Gjithashtu, ministri Ndoka, shprehu kënaqësinë që mbas një ndërprerje tre – katër vjeçare, më në fund u mundësua realizimi i konkurseve të specializimit të mjekëve, si një nevojë e ndjeshme për rritjen e cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarëve.
Prania në ceremoni e Ministrit të Shëndetësisë dhe e Dekanit Priftanji, ishte një shprehje e qartë e vullnetit dhe angazhimit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe e Fakultetit të Mjekësisë në drejtim të përgatitjes së profesionistëve të mjekësisë, për plotësimin e nevojave që ka vendi, për mjekët specialist.
Kërkesat e qytetarëve për zgjerimin e shërbimeve dhe rritjen e cilësisë së tyre janë çdo ditë e më evidente dhe përgjigjia vjen përmes investimeve të mëdha në sistem, në pajisje, në modernizim, në teknologji, por asnjëra prej tyre nuk zëvendëson faktorin bazë, specialistët dhe burimet njerëzore. Burimet njerëzore për sistemin tonë shëndetësor janë një nga aspektet më të rëndësishme për zbatimin me sukses të reformës në sistemin shëndetësor. Investimi që MSH bën për specialistët e mjekësisë është investimi më i mirë dhe më afatgjatë, ndaj ai kërkon kohë, përkushtim, sakrificë. “Një skaner apo një pajisje tjetër moderne mund t`a blesh brenda një procedure ligjore dymujore, ndërsa mjeku që do ta përdorë, kërkon vite pune për t’u përgatitur“ – the Ndoka.
Më tej, Ndoka shtoi se “sistemi shëndetësor paraqet edhe probleme që kanë të bëjnë me numrin e profesionistëve të shëndetësisë, shpërndarjen gjeografike jo të baraspeshuar si dhe shpërndarjen e pabarabartë midis niveleve të kujdesit shëndetësor. Lëvizjet e mëdha demografike brenda e jashtë vendit, tranzicioni dhe interesi ekonomik e profesional për të qenë sa më afër spitaleve më të mira, ka bërë që specialistët të përqëndrohen në qytetet kryesore dhe që rrethet periferike të ndodhen në vështirësi për personel të kualifikuar. Shëndetësi është një produkt që nuk mund të ketë dy standarde, një për qytetet e mëdha dhe një për të vogla“.
Ministria e Shëndetësisë, po rishikon të gjitha mundësitë ligjore dhe profesionale për gjetjen e mjeteve për drejtimin e ofertës, monitorimin e cilësisë së profesionistëve shëndetësorë, përmirësimin e procesit të planifikimit, sistemit të të dhënave dhe informacionit si dhe çka është më e rëndësishme, krijimin e tregut të punës, i cili do të zgjidhë përfundimisht nevojat për specialistë të shëndetësisë.
Në këtë aspekt, Ministria e Shëndetësisë është duke punuar për krijimin e një kuadri rregullator mbi kualifikimin, licensimin dhe rilicensimin, edukimin në vazhdim të cilat konsiderohen si arritjet e para.
Njëkohësisht, po i kushtohet një vëmëndje e madhe identifikimit të opsioneve dhe strategjive bazuar në nevojën për një përqasje të re në planifikimin dhe menaxhimin e burimeve njerëzore, me qëllim përballimin më të mirë të sfidave që kemi përpara në mbulimin me specialistë të mirëfilltë, të gjithë territorit të vendit.
Për të plotësuar në mënyrë optimale dhe cilësore nevojat e mëdha për specialistë, Ministria e Shëndetësisë së bashku me Fakultetin e Mjekësisë, po mendon për organizimin e specializimeve të tjera, brenda këtij viti, duke përfshirë dhe specialitete të tjera si mjeku i urgjencës, menaxhimi shëndetësor, përgatitjen e nënspecialistëve, etj.
Në kontaktin e tij direkt me specializantët fitues, ministri Ndoka vuri theksin në disa porosi:
- Figura e mjekut në çdo shoqëri është një figurë karizmatike, popullore dhe e respektuar. Në shumë momente, për shumë persona dhe të afërmit e tyre, ai është barrikada mes jetës dhe vdekjes. Deri vonë në vitet `90, deklaronim që kemi mjekë të aftë, por mungojnë aparaturat mjekësore. Tani situata dhe raportet po ndryshojnë. Falë investimeve të buxhetit të shtetit dhe donatorëve të huaj, kjo diskordancë midis nivelit të njohurive të personelit dhe teknollogjisë mjekësore, i cili është një konflikt dinamik në gjithë botën, është përmbysur.
- Për këtë, për aftësimin tuaj profesional, ju duhet të shfrytëzoni çdo minutë kohe për të studiuar literaturën mjekësorë, për të qëndruar pranë mjekëve më me përvojë, pranë profesorëve tuaj për të përfituar sa më shumë prej tyre, për të njohur dhe përdorur aparaturat moderne mjekësore dhe mbi të gjitha, për të krijuar një raport besimi të ndërsjelltë me pacientët e sëmurë. Ju duhet të investoni sot në kohë dhe energji, për të përfituar nesër më shumë aftësi, profesionalizëm dhe siguri.
- Kërkoni për t’u aftësuar sa më mirë, vetëkontrollohuni dhe do të konstatoni se do të vlerësoheni dhe në një të ardhme të afërt dhe do të shpërbleheni. Vlerësuesi i vërtetë që do t`ju testojë për dijet e marra do të jetë komuniteti ku do të shërbeni. Praktika pranë të sëmurit, në luftë me sëmundjen, do të jetë testi juaj i përditshëm.
- Në këtë mënyrë, pa mohuar vlerën që ka shpërblimi material, së pari do të shpërbleheni moralisht dhe do i ktheni bluzave të bardha imazhin, që për hir të së vërtetës, kohët e fundit është nëpërkëmbur, duke ushqyer kështu, shpirtin tuaj me krenari dhe kjo mendoj se është mjaft e rëndësishme për këdo specialist të shëndetësisë.
- Të zbatoni kontratën për të shërbyer në rrethin ku është planifikuar, kontratë të cilën e kemi ulur nga pesë në katër vjet, por që nga ana tjetër jemi të vendosur për zbatimin e saj nga gjithsejcili, duke mos bërë asnjë lëshim në këtë drejtim.
- Ju jeni një brez modern, dhe unë jam plotësisht i bindur se shumë shpejt do të aftësoheni në specialitetet në të cilat keni fituar, duke qënë të gatshëm të ofroni shërbimin tuaj për komunitetin.
Në mbyllje të fjalës së tij përshëndetëse, ministri Ndoka, duke ju uruar suksese specializantëve në formimin si specialistë të ardhshëm të mjeksisë, falenderoi Fakultetin e Mjekësisë, e veçanërisht, Dekanin për bashkëpunimin për të arritur në këtë ditë të rifillimit të kurseve të specializimeve e nëpërmjet tij dhe gjithë stafin pedagogjik, të cilët gjithë jetën, përveç ofrimit të shërbimit mjekësor, i janë kushtuar dhe përgatitjes së brezave të specialistëve të mjekësisë.
Qytetarë!
Denonconi korrupsionin në sistemin shëndetësor në 069 20 24 322
Tirane, me 15 Korrik 2008 |
|