Intervistë e Ministrit të Shëndetësisë, Nard Ndoka, dhënë për të përditshmen ``Koha Jonë ``
1. Një pjesë e mjekëve dhe shefave të pavijoneve kanë lëshuar akuza te drejtpërdrejta për menyrën e reformimit të Sistemit Shëndetësor në vendin tonë. Sipas tyre, reformat duhet të kryehen nga“ familja“ e QSUT-së dhe profesioniste Cili është reagimi juaj?
Mendoj se ajo pjesë e mjekëve që kundërshton reformat ishte e kënaqur me gjendjen e Sistemit Shëndetësor në shtatëmbëdhjetë vitet e shkuar. Unë e di se në çdo kohë e në çdo vend, ka njerëz që mësohen me një të tashme të përjetëshme, ka njerëz që kanë frikë çdo ndryshim dhe kundërshtojnë cdo ndryshim, çdo gjë që është e re. Kjo është një rezistencë e natyrshme, e njohur mirë në çdo vend. Por, ka edhe individë, qofshin këta mjekë apo profesorë të shquar, që brenda institucionit publik, kanë instaluar sistemin e interesave privatë, kanë krijuar feudin e tyre të vogël dhe e kanë shfrytëzuar atë maksimalisht për interesin e vet. Reforma reale i jep fund kësaj gjendjeje stanjacioni, krijon premisa për ndryshime të shpejta dhe për standarde të reja. Ata që ndjejnë të kërcënuara interesat privatë brenda institucionit publik, janë pjesa më agresive që kundërshton reformat. Ky agresivitet antireformë maskohet nën titullin e profesorit, apo të autoritetit mjekësor. Ministrat e shëndetësisë paraardhës, janë tërhequr para këtëij presioni, kanë nguruar të veprojnë. Unë nuk kam ndërmend të tërhiqem dhe do të vazhdoj me kursin e reformave, sepse kjo është e vetmja rrugë për të nxjerrë nga prapambetja Sistemin tonë Shëndetësor, është e vetmja rrugë për modernizimin e sistemit. Dhe besoj se kjo pikëpamje e imja ka edhe mbështetjen e shumicës së punonjësve të Sistemit Shëndetësor, e të gjithë atyre që besojnë tek Betimi i Hipokratit dhe që janë të përkushtuar në profesionin e tyre në shërbim të qytetarëve, në shërbim të njeriut.
Pretendimi se reformat duhen kryer nga “profesionistet„ e familjes së QSUT-së, më duket i pavend dhe i paargumentuar:
Së pari, sepse askush nuk ka përjashtuar askënd nga pjesëmarrja në reformimin e sistemit. Perkundrazi kemi kerkuar edhe mendimin e te gjithe potencialeve reale te shendetesise.
Së dyti, reformat janë kryer me konsulencën e specialistëve më të mirë që kemi si dhe me konsulencën e ekspertëve të huaj.
Një moment shumë i rëndësishëm ishte hartimi dhe miratimi i Strategjisë së Sistemit Shëndetësor 2007 -2013. Ky dokument është projekti bazë i reformave për Sistemin tonë Shëndetësor. Ky dokument publik është hartuar me kontributin e specialistëve më të mirë vendas dhe të huaj dhe është diksutuar gjerësisht. Për më tepër, ky dokument ka marrë mbështetje të gjërë politike nga të gjitha partitë parlamentare, të maxhorancës dhe opozitës.
Natyrisht tani po vazhdojmë me reformat që janë implementim i kësaj strategjie dhe ndër më të rëndësishet janë reformat ligjore. Tashmë është gati projektligji “Për Kujdesin Shëndetësor në Republikën e Shqipërisë„ i cili pritet të miratohet së shpejti. Ka kaluar ne qeveri projektligji “Për Pajisjet Mjekësore në Republikën e Shqipërisë”, si dhe është gati projektligji “Për financimin e kujdesit shëndetësore”.
Këto mëndoj se janë arritje të rëndësishme që krjijojnë mundësinë reale për ndryshime rrënjësore Në Sistemin tonë Shendetësor dhe për krijimin e atyre standardeve që ne synojmë bashkarisht. Keto jane reforma reale qe per fatin e keq nuk jane bere per 17 vjet edhe nga ato qe sot vetem kritikojne, kur pak kohe me pare e kane patur per detyre ti bejne keto reforma.
- Një tjetër kërkesë e tyre ka qenë dyfishimi i pagave, sa do të mund te plotësohet kjo? Nëse nuk plotësohet kërkesa e pagave, siguria në punë, mjekët kanë deklaruar për rrjedhje në privat. A e dëmton kjo Sistemin tonë Shendetësor?
Në programin e saj qeverisës, Qeveria Shqiptare ka deklaruar se do të dyfishojë pagat e mjekëve brenda mandatit të saj. Deri tani, Qeveria e ka mbajtur premtimin, sepse çdo vit ka patur një rritje të pagave në përputhje me premtimin e bërë. Një ritëm i tillë i rritjes së pagës do të ruhet edhe këtë vit dhe vitin e ardhshëm. Sigurisht që ne e vlerësojmë shumë punën e mjekëve dhe të personelit mjekësor në tërësi, por politika e rritjes së pagave mbështetet në mundësitë që ka një vend, në treguesit e tij financiarë. Nuk mund të pretendosh që në Shqipëri mjeku t’i ketë pagat si në Gjermani apo në Francë, sepse ne ende jemi një vend i varfër, por ndërkaq, jemi një vend që po zhvillohet shpejt, duke synuar standartet e vendeve të BE-së, ku ne duam të integrohemi. Por edhe në disa vende të Lindjes, që tashmë janë bërë anëtare të BE-së, prapë pagat kanë diferenca të ndjeshme si për shembull në Bullgari dhe Rumani. Pagat e një mjeku rumun apo bullgar nuk mund të krahasohen me pagat e një mjeku gjerman apo francez.
Ndërkaq, siguria e mjekëve në punë, është pjesë e sistemit të sigurisë që ne kemi si shoqëri, si shtet. Ne dënojmë me ashpërsinë më të madhe çdo akt dhune ndaj mjekëve dhe kërkojmë që ligji të veprojë me të gjithë ashpërsinë e tij ndaj kujtdo që cënon sigurinë e bluzave të bardha. Ndërtimi i një shoqërie të sigurtë, do të thotë ndërtimi i një shoqërie ku funksionojnë ligjet, ku zbatohen me rreptësinë më të madhe ligjet në fuqi. Rasti i fundit në QSUT, nuk do të thotë se puna e mjekut është me pak e sigurtë se puna e një biznesmeni, apo e një punonjësi tjetër të administratës publike. Megjithatë unë kërkoj që drejtësia të veprojë fort në përputhje me ligjin, ndaj çdo rasti kur vërehet përdorim dhune ndaj bluzave të bardha.
- A do të ketë ndryshime në statusin e QSUT-së, po ndryshime të tjera në Sistemin Shëndetësor? Përsa u përket reformave, cilat janë ato që janë ndërmarrë dhe sa përmirësim ka pasur Sistemi Shendetësor gjatë këtij vitit të fundit që kur ju keni marrë në dorë drejtimin e tij?
Qendra Spitalore“Nënë Tereza“ ka tashmë statusin e saj, i cili është hartuar nga drejtoria në konsultim të gjërë me shefat e shërbimeve dhe grupet e interesit në këtë qendër. Pra, në QSUT „Nënë Terza“ nuk është problem statusi, por është ligji për Arsimin e Lartë ai që ka krijuar disa probleme dhe ne si Ministri e Shëndetësisë, do të propozojmë amendimin e disa neneve të tij. Ne mendojmë se ligji në fuqi krijon vështirësi serioze për menaxhimin dhe administrimin e shërbimeve në QSUT. Gjithashtu miratimi i ligjit “Për Kujdesin Shëndetësor në Republikën e Shqipërisë“, çon drejt rishikimit të të gjithë mekanizmave rregullatorë që veprojnë sot në sistemin shëndetësor. Monopolet qe ruhen sot nga disa grupe interesi brenda sistemit publik do te marrin fund, ne jemi te vendosur per mundesi alternative ne sistemin publik shendetesor dhe nxitjen e investimeve ne sektorin privat si pjese komplementare e sistemit.
- Propozimi i rritjes së masës së Sigurimeve Shëndetësore, ndikon tek personat që kanë paga të larta, duke i detyruar ata të paguajnë më shume se punonjësit me paga minimale. A do te ketë shërbime shtesë apo përfitime për ata që paguajne me shume?
Në Shqipëri disa paguajnë pak dhe shumica aspak per sigurimet shendetesore. Kjo është e vërteta e thjeshtë që krijon probleme serioze për finacimin e Shërbimeve Shëndetësore. Në disa lande të Gjermanisë, shuma e Sigurimeve Shëndetësore zë 15 % të pagës dhe, ndërkaq, këto sigurime paguhen nga të gjithë, edhe nga të papunët.
Aktualisht ne nuk i diferencojmë shërbimet sipas masës së Sigurimeve të paguara, sepse ne synojmë që çdo pacienti ti ofrojmë shërbimin maksimal. Por në të ardhmen, kur Institutet e Sigurimeve Shëndetësore, privatë apo publikë, të jenë blerësit e vetëm të Shërbimeve Shendetësore, skema do të përmirësohet, sepse ai që ka më shumë mundësi, mund të sigurohet edhe për shërbime të specializuara shumë të kushtueshme. Ne jemi në hapat e para të kësaj reforme, dhe kur kemi vetëm një institucion të sigurimeve shëndetësore ISKSH-në, që synojmë ta shndërrojmë në blerësin e vetëm të Shërbimeve Shëndetësore, ndërkohë që po tentohet liberalizimi i tregut të Shërbimeve Shëndetësore. Gjithsesi ne po mendojme per nje skeme decentralizuese per spitalet rajonale, qe te vendosim disa pagesa baze per pacientet, te cilet do duhet te paguajne 10 % te kostos se nje operacioni. Kjo eliminon pagesat informale dhe jep me teper mundesi financiare per pagesat e mjekeve qe kryejne keto operacione.
5. Prej më shumë se tre vjetësh nuk ka asnjë specializim të mjekëve, kjo u premtua për këtë vit por ende nuk ka filluar. A ka nje afat të përcaktuar se kur do të fillojnë? Po përsa u përket mjekëve të rinj, të cilët kërkojnë të punësohen vetëm në qendrat e mëdha mjekësore të qyteteve kryesore, a do të ketë një strategji për punësimin e mjekëve të rinj edhe në spitalet e qyteteve të largëta?
Eshtë e vërtetë se prej tre vjetësh specializimet e mjekëve ishin bllokuar. Falë këmbënguljes së Ministrisë së Shëndetësisë, e cila e ka parë specializimin e mjekëve si njërin prej prioriteteve të saja, në Maj fillojnë specializimet në QSUT nepermjet Fakultetit te Mjeksise. Ndërkaq në të gjitha marrëveshjet që kemi nënshkruar me vendet partnere, specializimi i mjekëve përbën një kapitull të veçantë. Kështu ne kemi marrëveshje me disa vende si Italia, Turqia, Greqia, Zvicra, Austria, Hungaria etj, për specializimin e mjekëve. Nepermjet projektit „Interreg 3“ ne kemi bere te mundur specializimin e mjaft mjekeve dhe infermierve per aparatura moderne mjeksore, deri tek eksperienca e mjekeve tane per transplantin e veshkave. Mundësinë e specializimit ne do ta zgjerojmë edhe në marrëveshjet e reja që pritet të nënshkruhen gjatë këtij viti, me ato vende me të cilat jemi në negociata dhe kemi vendosur ura të ngushta bashkëpunimi. Pra, përfundimisht çështjen e specializimit të mjekëve të rinj e shikoj një çështje të zgjidhur, por me vemendje te vazhdueshme.
Qytetarë!
Denonconi korrupsionin në sistemin shëndetësor në 069 20 24 322
Tirane, me 17 Prill 2008 |