Ministria e Shëndetësisë ka nisur në qeveri paketën ligjore për reformat e thella në sistemin shëndetësor dhe ka miratuar Strategjinë Kombëtare të Shëndetësisë
MSH: Jemi të vendosur për reformimin e sistemit shëndetësor
Dy ligjet bazë të sistemit shëndetësor, të cilat kërkohen nga Fakulteti për tu bërë, faktikisht janë bërë dhe Ministria e Arsimit, prej nga varet fakulteti, ka dhënë mbështetje të plotë për to.
Ministria e Shëndetësisë pasi u njoh përmes medias me deklaratën e Këshillit të Zgjeruar të Profesorëve të Fakultetit të Mjekësisë, e vlerëson atë si një shqetësim qytetar e profesional, që meriton të merret seriozisht në konsideratë nga të gjitha strukturat shtetërore, parlamentare, por edhe akademike, të përfshira në problematikën e deklaratës.
Ministria bashkohet me vlerësimin e profesorëve, disa prej të cilëve ish ministra dhe ish drejtues të lartë të enteve shtetërore e universitare vendimmarrës, se gjatë 17 viteve të fundit ka pasur probleme dhe mungesë të reformave thelbësore në sistemin shëndetësor dhe që ende shëndetësia funksionin mbi ligjin bazë të vitit 1963. Ne mbështesim profesoratin në kërkesën e tyre për rritjen e kontributit financiar shtetëror e qytetar në financimet e shërbimit shëndetësor, në mbrojtjen e jetës dhe integritetit profesional të çdo punonjësi të sektorit shëndetësor, në nevojën për ruajtjen e pjesës profesionale të shëndetësisë nga rotacionet politike, si dhe në nevojën për veprime konkrete në dobi të reformës.
Në këtë kuadër dhe në përgjigje të misionit tonë kushtetues, Ministria e Shëndetësisë ka zgjidhur tashmë kërkesat themelore të shqetësimit të profesoratit të Fakultetit të Mjekësisë: miratimin e Strategjisë Kombëtare të Shëndetësisë 2007 – 2013, si dhe hartimin e ligjit bazë për shërbimin shëndetësor dhe ligjin e financimit të shërbimit shëndetësor. Të dy këto drafte ligjore u janë dërguar për mendim të gjitha institucioneve ligjore, të parashikuara nga praktika e shqyrtimit të ligjeve, grupeve të interesit dhe vetë Fakultetit të Mjekësisë.
Ministria e Shëndetësisë shpreh habinë që fakulteti i mjekësisë, i cili është pjesë e institucioneve të Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës, nuk ka dijeni, ose shprehet kështu, për dy ligjet e mësipërme bazë, ndërkohë që në rrugë zyrtare Ministria e Shëndetësisë është njoftuar nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës se kjo e fundit i mbështet ligjet dhe nuk ka vërejtje për përmbajtjen dhe parimet përbërëse të tyre. Gjithashtu duhet theksuar se një numër i madh anëtarësh të profesoratit, përfshirë drejtuesit e deri para pak muajve të fakultetit të mjekësisë, kanë qenë anëtar aktiv të miratimit të këtyre drafteve ligjore, kështu që ne presim që edhe drejtuesit e rinj të marrin parasysh dhe të jenë në dijeni të punës së paraardhësve të tyre në këto poste.
Së fundit, Ministria e Shëndetësisë, ashtu si edhe më parë, edhe tani është e gatshme të dëgjojë dhe bashkëpunojë me çdo individ, ent shtetëror dhe aktor të sistemit shëndetësor, në të mirë të reformimit dhe modernizimit të këtij sistemi.
Natyrisht, si një organ vendimmarrës kushtetues dhe politik, Ministria e Shëndetësisë u apelon edhe njëherë partive politike parlamentare që mendimet e tyre për dy ligjet e mësipërme bazë, të mos shprehen në formë peticionesh, por në rrugë institucionale, direkt përmes angazhimit në komisione parlamentare dhe që bashkërisht të arrihet në një konsensus politik i nevojshëm për reforma të thella dhe afatgjata në sistem.
Qytetarë!
Denonconi korrupsionin në sistemin shëndetësor në 069 20 24 322
Tirane, me 18 Prill 2008 |