Inagurohet rikonstruksioni i poliklinikës së specialiteteve në qytetin e Beratit.
Ministri i Shëndetësisë merr pjesë në analizën e drejtorisë së shëndetit publik në Berat
Inagurohet në qytetin e Beratit, rikonstruksioni i poliklinikës së specialiteteve, investin i cili kap shumën e 17.7 mln lekëve. Në inagurimin e kësaj poliklinike mori pjesë ministri i shëndetësisë z. Ndoka, drejtori i spitalit dhe drejtori i DSHP – së Berat. “ Viti 2008 do të jetë viti i investimeve në pajisjet mjekësore “ u shpreh në fjalën e tij përshëndetëse z. Ndoka.
Më pas ministri i shëndetësisë mori pjesë në analizën vjetore të qarkut të Beratit, ku theksoi se po bëhen përpjekje maksimale për t’i dhënë mjekësisë fytyrën humane, duke luftuar të gjitha rastet e korrupsionit në këtë sektor jetik.
I pranishëm në analizën 1 vjeçare të drejtorisë së shëndetit publik në Berat për vitin 2007, ministri u bëri thirrje qytetarëve që të denoncojnë të gjitha rastet e korrupsionit, ndërsa shtoi se duhet të marrin fund praktikat e abuzimeve të mjekëve me pacientët.
Duke folur për reformat në sistemin e shëndetësisë Ndoka nënvizoi se “reforma që ka nisur në sistemin e shëndetësisë synon të përmirësojë nivelin e cilësisë së shërbimit shëndetësor ndaj qytetarëve”. Në këtë kuadër ai evidentoi dy projektligje të rëndësishme siç është ligji bazë i shëndetësisë dhe ai i përkujdesit shëndetësor, të cilat do t’i paraqiten për miratim Kuvendit brenda dy-tre muajve të ardhshëm. “Zbatimi i këtyre ligjeve do të sjellë ndryshime të thella në organizimin dhe funksionimin e shërbimit shëndetësor në Shqipëri, duke gjeneruar koncepte dhe praktika bashkëkohore”, tha më tej ministri i Shëndetësisë.
Z. Ndoka vlerësoi si pjesë të rëndësishme të reformës dhe çeljen e dritës jeshile për spitalet private, për të cilat ai theksoi se janë 5 - 6 të tilla në proces për t’u hapur në Shqipëri dhe që do të ofrojnë tek qytetarët mundësinë e përzgjedhjes. Gjithashtu, vijoi ai, reforma në sistemin parësor zë një vend të rëndësishëm dhe e bën pushtetin vendor drejtpërdrejtë të interesuar.
Kreu i ministrisë së Shëndetësisë u ndal dhe në sistemin e pagave, në të cilën sipas tij po ndiqet politika e rritjes progresive të tyre. Ai nënvizoi se në dy vitet e fundit, pagat për punonjësit e sistemit shëndetësor janë rritur në masën 20- 25 përqind, duke shtuar se e njëjta tendencë do të ruhet dhe për vitin 2008 dhe në vazhdim.
Ministri Ndoka foli dhe për investimet e kryera gjatë vitit të kaluar në rrethin e Beratit.
Qytetarë!
Denonconi korrupsionin në sistemin shëndetësor në 069 20 24 322
Tirane, me 21 Janar 2008 |