| |
Ministria e Shëndetësisë zhvilloi sot analizën vjetore të punës për vitin 2007
Ndoka paraqet të gjitha reformat e realizuara, sfidat kryesore dhe prioritetet për vitin 2008
Ndoka: Ja pse viti 2007 ishte vit pozitiv për shëndetësinë shqiptare
Oketa: Mbështetje e qeverisë ndaj reformave të ndërmarra nga Ministria e Shëndetësis
Ministria e Shëndetësisë, zhvilloi sot në ambjentet e hotel Tiranës analizën vjetore të punës. Në këtë takim morën pjesë, ministri i shëndetësisë z. Ndoka, zv. Kryeministri Oketa, kryetari i komisionit të shëndetësisë z. Tritan Shehu, mjekë, specialistë, drejtues të institucioneve shëndetësore shqiptare dhe gazetarët që për një vit rrjesht kanë kontribuar në informimin dhe edukimin e publikut në cështjet shëndetësore.
Në fjalën e tij, ministri i shëndetësisë Nard Ndoka, u shpreh se “ analiza e sotme vjetore bëhet në përmbyllje të analizave të zhvilluara në të gjitha rrethet e vendit dhe në institucionet shëndetësore të varësisë. Gjatë dy muajve ne patëm rastin të analizojmë dhe shohim nga afër gjendjen e sistemit shëndetësor, problematikën, arritjet si dhe të planifikojmë prioritetet tona për vitin 2008. E gjithë kjo problematikë është pasqyruar edhe në botimin modest që sot prezantojmë dhe që do të jetë në dispozicion edhe të publikut për të patur të dhënat dhe argumentet e nevojshme në vlerësimin e punës tonë.
Bazuar në bilancin e punës njëvjeçare vlerësoj se viti 2007 ishte një vit i rëndësishëm dhe pozitiv për shëndetësinë shqiptare. Ka disa tregues në të cilët bazohet ky vlerësim: është gjendja faktike në institucionet tona shëndetësore, është mbështetja në rritje e opinionit publik dhe është raporti i progresit i Bashkimit Evropian për Shqipërinë. Të gjithë këta komponentë njohin e vlerësojnë zgjerimin e shërbimeve shëndetësore, rritjen e cilësisë së shërbimit dhe në tërësi, rolin e Ministrisë së Shëndetësisë në hartimin e politikave dhe marrjen e vendimeve afatgjata për reformimin e sistemit.
Në planin konkret aktiviteti i Ministrisë së Shëndetësisë u përqendrua në katër drejtime bazë:
- në hartimin e politikave shëndetësore,
- në reformimin e sistemit të administrimit,
- në rritjen e cilësisë së shërbimeve
- dhe në zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtarë.
Në drejtim të politikave shëndetësore arritja më e rëndësishme ishte Strategjia Kombëtare, si dhe një numër i madh vendimesh, ligjesh, rregullash dhe dokumentesh të tjera zyrtare që u ndërmorën gjatë gjithë vitit 2007. Ne përfunduam draftin e Strategjisë Kombëtare të Shëndetësisë për 7 vitet e ardhshme, morëm mbështetjen e donatorëve dhe të qeverisë shqiptare si dhe tani, ne kemi hyrë në fazën më të rëndësishme, të zbatimit të kësaj Strategjie. Produkti final i kësaj strategjie do të jetë një sistem shëndetësor efektiv, modern, profesional, që ndikon direkt në përmirësimin cilësor të jetës dhe shëndetit të të gjithë qytetarëve.
Në lidhje me administrimin e sistemit gjatë vitit 2007 sollëm një risi pozitive: vendosjen e administratorëve në krye të procesit, një praktikë kjo e provuar me sukses në vendet e tjera evropiane. Në ato institucione ku pati një harmonizim të mirë midis drejtimit administrativ dhe drejtimit mjekësor konstatuam se arritjet ishin më evidente. Mjafton që sot të shihen spitalet rajonale dhe konstatohet lehtësisht se ky model i ri administrimi ka qenë frutdhënës. Kjo është një bazë e mirë për të vazhduar në këtë drejtim. Ne jemi të vendosur tu japim sa më shumë hapësirë veprimi institucioneve shëndetësore, për më shumë autonomi financiare dhe vendimmarrje, për më shumë mbështetje me ekspertizë dhe përfshirje në projekte me donatorë të ndryshëm, në mënyrë që çdo institucion shëndetësor të jetë i aftë të konkurrojë në cilësi dhe në shërbim.
Një reformë e rëndësishme, e cila nisi më 2007 me shërbimin parësor dhe do të zgjedhohet edhe në nivele të tjera, është kalimi i financimit të sherbimeve tek ISKSH-ja. Kjo skemë funksionoi dhe jemi të gjithë dëshmitarë të suksesit të saj, pavarësisht rezistencës dhe kritikave që erdhën nga nivele lokale e pushtete të tjera, mentalitetet e të cilave kanë mbetur 10 vjet prapa. Me ligjin e ri të financimit të kujdesit shëndetësor reforma e kalimit të financimit të shërbimeve nga Ministria tek ISKSH-ja do të bëhet më e plotë dhe më konkrete. Ky ligj mbetet një nga ligjet dhe prioritetet tona kryesore për vitin 2008. Reforma në financimin e financimit mbetet thelbësore, por që të ketë sukses, ajo kërkon një angazhim real të strukturave politike vendimmarrëse, të qeverisë, parlamentit dhe njëherësh një ndërgjegjësim publik të vetë qytetarëve dhe stafit mjekësor. Ne aktualisht kemi nivelin më të ulët të kontributeve shëndetësore në Evropë, synimi ynë është dyfishimi i kontributeve, në mënyrë që sistemi të bëhet funksional, që ne të kemi mundësinë për të ofruar shërbime sa më cilësore, profesionale e të shpejta për të gjithë qytetarët.
Aspekt tjetër i reformës administruese ishte përfshirja për herë të parë e sistemit të ri të kontrollit dhe vlerësimit të cilësisë dhe standardeve. Ky sistem mundëson matjen e punës së mjekëve dhe kapaciteteve profesionale të çdo spitali, rritjen e transparencës dhe përdorimin më me efektivitet të burimeve njerëzore dhe pajisjeve mjekësore. Ky sistem vlerësimi do të shtrihet në të gjitha institucionet shëndetësore dhe mbi bazën e konkluzioneve të tij do të bëhet më e lehtë vendosja e kritereve vlerësuese dhe e mbështetjes financiare nga ana e buxhetit të shtetit.
Gjatë vitit 2007 patëm gjithashtu një rritje të buxhetit të shtetit dhe në tërësi, të investimeve shtetërore e private në sistemin shëndetësor. Janë kryer investime të mëdha në QSUT, në spitalet e Shkodrës, Elbasanit, Korçës, Durrësit, etj. Kemi gati dhe jemi në pritje të vendimit të qeverisë për ligjërimin e Spitalit të ri Alternativ të Tiranës, kemi nisur punën për spitalin e Kavajës dhe jemi në fazë përgatitore të punimeve për spitalin e ri të Fierit. Investime shumë herë më të mëdha janë bërë në furnizimin me pajisje shëndetësore moderne, me futjen e teknologjive të reja dhe si produkt i parë i tyre, ne shumë shpejt do të realizojmë transplantin e parë në Tiranë nga mjekë shqiptarë.
Një risi tjetër e vitit 2007 ishte reforma në administrimin e disa shërbimeve bazë, si pastrimi, ruajtja, ushqimi, hoteleria, etj, të cilat kaluan nën administrim privat. Ne planifikojmë që ky proces të zgjedhoret me shërbimet e urgjencës, dializës, etj, si dhe kjo të realizohet jo vetëm në QSUT por në të gjitha spitalet rajonale.
Po ashtu, gjatë 2007 u dhamë më shumë autonomi dhe përgjegjësi organeve të qeverisjes vendore. Krahas Grandit Konkurrues, me të cilën realizuam ndërtimin e 316 qendrave shëndetësore dhe rikonstruktimin e 104 qendrave të tjera, me vendim të qeverisë krijuam Borde Drejtuese të Qendrave Shëndetësore, ku pushteti vendor do të ketë përfaqësuesin dhe votën përcaktuese.
Në aspektin e kujdesit ndaj vetë personelit mjekësor Ministria dhe në tërësi qeveria vijuan të dëshmojnë angazhime serioze, siç ishte rritja me 20-25% e rrogave për personelin mjekësor, hapja e kursit të specializimeve, rritja e investimeve, si dhe rritja e mbështetjes financiare për kualifikimin e mëtejshëm të mjekëve shqiptarë apo për realizimin e projekteve të përbashkëta me kolegë të vendeve të tjera.
Padyshim që një prioritet kryesor gjatë 2007 dhe 2008 ishte dhe mbeti zgjerimi i mundësive ligjore dhe administrative për lehtësimin e futjes në Shqipëri të sistemit të spitaleve private. Shumë shpejt do të kemi gati bazën ligjore për ligjërimin e kushteve dhe kritereve për njohjen e spitaleve private. Vetëm në Tiranë janë ngritur dhe janë në pritje 4-5 spitale të tilla me teknologji moderne. Kjo do të mundësojë zgjerimin e mundësive të zgjedhjes, rritjen e konkurrencës profesionale dhe shkurtimin e rrugës dhe të kostos financiare për trajtimin e sëmundjeve të trajtuara tradicionalisht jashtë vendit.
Fusha e tretë e veprimit lidhet me marrëdhëniet ndërkombëtare. Gjatë 2007 nënshkruam disa marrëveshje të reja bashkëpunimi, ku më kryesoret janë ato me Italinë, me Hungarinë, Turqinë, etj. Bashkëpunimi ndërkombëtar nuk përqendrohet më vetëm në trajtimin e të sëmurëve shqiptarë jashtë vendit, por kryesisht në kualifikimin e mjekëve shqiptarë për realizimin e operacioneve të rëndësishme brenda vendit, në institucionet tona shëndetësore. I tillë është projekti për transplantimin e veshkave, i cili do të pasohet me projekte të tjera për sëmundje, të cilat deri më tani janë konsideruar tabu në Shqipëri.
Natyrisht që njohim dhe konstatojmë edhe disa probleme e mangësi që u vunë re gjatë këtij viti. Si të tilla do të përmendja këtu vonesat në implimentimin e sistemeve të reja të vlerësimit dhe në përshtatjen e stafeve drejtuese dhe të personelit mjekësor me reformat e iniciuara ose të kërkuara nga Ministria. Më shumë rezultate do të doja të kishte në aspektin e denoncimit dhe vendosjes përpara përgjegjësisë ligjore e profesionale të atyre bluzave të bardha, të cilat për interesa të momentit, kanë abuzuar me profesionin dhe besimin publik. Me gjithë rastet e denoncuara të abuzimeve, korrupsionit apo konfliktit të interesave, jashtë kësaj salle ka ende shumë njerëz që besojnë se kjo sfidë nuk është realizuar me cilësinë dhe nivelin e duhur.
Një aspekt tjetër i problematikës kishte të bënte me vështirësitë kronike në drejtim të planifikimit të furnizimit me barna, të realizimit të investimeve të planifikuara në sistem, si dhe mungesat e konstatuara në aftësinë e institucioneve shëndetësore për hartimin dhe realizimin e projekteve të rëndësishme për investime në pajisje, në mjedise pune apo në kualifikim profesional. Kritikë tjetër është ajo që lidhet me politikat e rekrutimit të personelit mjekësor. Ne kemi nevojë për mjekë të kualifikuar kështu që në dallim nga ndonjë sektor tjetër qeverisës, në shëndetësi nuk ka vend për preferenca të tjera, përveç aftësive profesionale. Sivjet rikthyem specializimet e mjekëve sipas nevojave të rretheve, gjë që duhet vazhduar, për të nxitur dhe plotësuar nevojat sidomos në ato zona ku kemi nevoja më të mëdha për personel të kualifikuar mjekësor. Sistemi shëndetësor nuk është vetëm Tirana dhe qytetet e mëdha, por ne kemi nevojë për mjekë edhe në zonat më të thella, madje në ndonjë specialitet atje nevojat janë edhe më të mëdha.
Gjithashtu, ne do të duhet të kishim bërë akoma më shumë në mbrojtjen e imazhit publik të mjekëve dhe të vetë sistemit shëndetësor, si dhe në krijimin e një lidhjeje më të fortë besimi midis qytetarëve dhe institucioneve shëndetësore. Mjekët janë shërbëtor të qytetarëve, kanë mision kurimin, kujdesin dhe shërimin e qytetarëve në nevojë, kështu që nuk ka dhe nuk duhet të ketë vend për marrëdhënie kundërshtie e akuzuese midis qytetarit e mjekut. Natyrisht do të ishte e gabuar që për këtë të bënim fajtor qytetarët, kështu që ndërtimi e përmirësimi i marrëdhënieve të besimit duhet filluar me korrigjimin e vetvetes.
Duke njohur problemet, arritjet dhe vështirësitë ne e kemi më të lehtë të përcaktojmë prioritetet dhe piketat kryesore të punës sonë për vitin 2008 dhe në vitet e ardhshme. Brenda angazhimeve për reformimin e sistemit shëndetësor ne duam të avancojmë me futjen e sistemit të ri të informatizimit shëndetësor, vendosjen e protokolleve të reja të mjekimit, vendosjen e plotë të kritereve të reja të vlerësimit, krijimin e kartave të shëndetit, kalimin e sa më shumë shërbimeve drejt ISKSH dhe institucioneve të siguracioneve private, etj.
Me ligjin bazë të shëndetësisë do të riorganizohet tërësisht sistemi duke u ndarë përfundimisht me modelin e vjetër dhe krijimin e një rrjeti të ri spitalor, me prioritet kryesor në pajisje e specialitete të 12 spitaleve rajonale. Synimi ynë është të krijojmë një sistem bashkëkohor, larg mentalitetit socialist të spitaleve fiktive për çdo qendër të banuar. Në thelb, ne duam të ndryshojmë këtë gjendje, të krijojmë 12 spitale rajonale moderne dhe efektive, të pajisura me teknologji, pajisje dhe personel të kualifikuar për të trajtuar të gjitha sëmundjet. Spitalet e tjera do të vlerësohen sipas nevojave dhe specifikave reale që kanë qytetet, duke mos lejuar hapësira bosh dhe struktura inekzistente.
Një ndryshim thelbësor do të jetë politika parandaluese dhe sensibilizuese ndaj sëmundjeve. Ne nuk duam që qytetarët të trokasin në dyert tona vetëm kur janë sëmurë rëndë, por të krijojmë kulturën e kontrollit periodik dhe të trajtimit të vazhdueshëm mjekësor të qytetarëve. Kjo do të thotë që qytetarët të mbajnë kontakte të vazhdueshme me mjekun e familjes, ti kushtojnë rëndësinë e duhur çdo forme të sëmundjeve dhe të bëjnë më shumë kujdes për eliminimin e atyre faktorëve që mund të provokojnë sëmundje. Pra, ne duam të krijojmë një sistem paralajmërimi efektiv, për ndryshimin e mentalitetit se tek mjeku shkohet vetëm kur sëmundja të detyron. Kultura e vizitave periodike mjekësore do të jetë pjesë e njohurive në shkollë.
Për realizimin e parimit kushtetues të garantimit dhe mbrojtjes së shëndetit roli ynë është thelbësor, por ai kërkon ndërveprimin edhe të faktorëve të tjerë në shoqëri. Çdo qytetar ka të drejtë kur kërkon shërbim shëndetësor cilësor, të shpejtë dhe mundësisht falas. Në një shoqëri ideale ku ka mirëqenie, shtet të konsoliduar të së drejtës dhe sistem të konsoliduar shëndetësor këto kërkesa janë lehtësisht të realizueshme. Por në çdo rast nuk duhet harruar se Shqipëria është një vend i varfër, me shumë probleme, me një të kaluar rreth gjysmë shekulli në izolim dhe me një tranzicion të vështirë. Të gjithë këta faktorë kanë ndikimin e tyre edhe në nivelin e shëndetit të qytetarëve. Me shëndetin janë të lidhura kushtet e jetesës, të arsimimit, aktiviteti jetësor, kushtet e mjedisit, cilësia e kushtet e ushqimit, etj. Pra, shëndeti është produkt i shumë faktorëve, nga të cilët vetëm një pjesë varen nga Ministria e Shëndetësisë.
Një rol të veçantë ka edhe media me auditorin e saj dhe fuqinë informuese dhe edukuese të publikut. Për nxitjen e medies drejt problematikave shëndetësore ne vendosëm këtë vit institucionin e zëdhënësit në të gjitha institucionet shëndetësore, krijuam rrjete elektronike informimi, zhvilluam konkurs kombëtar për kontributet më të rëndësishme mjekësore, si dhe çdo ditë furnizuam medien me të dhëna për shëndetin e problematikën e tij.
Natyrisht që rol të pazëvendësueshëm në ecurinë e reformave dhe në mbështetjen e përpjekjeve të Ministrisë së Shëndetësisë ka parlamenti dhe qeveria. Ne kemi bashkëpunim të ngushtë me parlamentin, kemi mbështetjen e qeverisë dhe vetë prania e zotit Oketa dhe zotit Shehu është dëshmi e saj.
Nga ana tjetër, dëshiroj të theksoj se ditët e fundit kam parë disa politikanë që në kuadër fushatash politike të hyjnë në institucionet shëndetësore dhe të flasin për nevojën e reformave të mëdha, e ndryshimeve të mëdha. Nuk dua të paragjykoj asnjërin prej tyre; secili ka të drejtë ta bëjë këtë gjë, madje është mirë kur politika vendos ta shndërrojë shëndetësinë në çështje dite. Por personalisht, si ministër dhe si politikan do të doja që opozita parlamentare të japë një kontribut real për reformën në sistemin shëndetësor. Për ta bërë këtë rasti më i parë dhe më i rëndësishëm është debati i pritshëm politik e parlamentar për miratimin e dy ligjeve tona më të rëndësishme, ligjit bazë të kujdesit shëndetësor dhe ligjit për financimin e shërbimit shëndetësor. Unë ftoj opozitën ashtu si edhe aleatët e mazhorancës të bëhen pjesë e këtij procesi përmes shqyrtimit dhe miratimit me prioritet të këtyre dy ligjeve, të cilat do të sjellin një reformim tërësor të sistemit të vjetër shëndetësor dhe afrimin tonë me modelet dhe standardet bashkëkohore.
Duke përfunduar edhe njëherë dëshiroj të shpreh vullnetin dhe vendosmërinë e Ministrisë së Shëndetësisë për të vazhduar me reformat e nisura, për tu dhënë atyre më shumë nxitje, kohë e mbështetje. Ne duam të krijojmë një sistem shëndetësor modern, një sistem që u jep “më shumë jetë viteve, më shumë vite jetës”, duke përmbushur kështu detyrimin tonë kushtetues dhe njëherësh detyrimin tonë ligjor, moral e politik përpara qytetarëve shqiptarë ”, përfundoi fjalën e tij ministri Ndoka.
Në fjalën e tij përshëndetëse, zv/kryeministri Gazmend Oketa, gjatë analizës vjetore të punës së Ministrisë së Shëndetësisë, deklaroi se Qeveria me politikat dhe veprimatrinë e saj, ka mbështetur dhe do të mbështesë reformat e ndërmarra në sektorin e shëndetësisë.
Sistemi shëndetësor në vendin tonë është në një proces të thellë reformimi shumëplanësh në drejtim të mentalitetit, mënyrës së menaxhimit, financimit, modernizimit dhe diagnostikimit. “Në kuadër të zbatimit të objektivave të Qeverisë në shëndetësi, ka patur rritje dhe përmirësim të strukturës së buxhetit të shetit. Në total për këtë vit buxheti ëhstë rritur me 16.2% krahasuar me një vit më parë. Sektori i shëndetësisë do të arrijë në rreth 2.9% të PBB që ishte në 2006 dhe 2.65% e PBB në vitin 2007”, theksoi Oketa, duke shtuar se kjo rritje e buxhetit ka përmitësuar ndjeshëm edhe pagat e punonjësve të shëndetësisë. Pagat e profesoratit të QSUT u rritën në masën 78%, e mjekëve me 21.3%, e infermierëve me 23% dhe I stafit mbë shtetës në masën e 10%.
Duke vlerësuar arritjet e tjera në sistemin shëndetësor, si hartimi i strategjisë gjashtë vjeçare të Sistemit Shëndetësor dhe përgatitja e dy ligjeve të rëndësishme bazë të financimit të kujdesit shëndetësor, Oketa, vuri në dukje edhe disa problematika.
Sipas tij, një vëmëndje e veçantë, duhet t’i kushtohet zgjidhjes së problemeve shëndetësore specifike që kanë personat me aftësi të kufizuar. “Do të doja të vlerësoja masat e marra nga Ministria e Shëndetësisë, por duhet të punohet më shumë për thellimin dhe efiçencën e luftës kundër korrupsionit, abuzimeve profesionale apo pagesave të parregullta”, theksoi Oketa, duke vënë në dukje se “janë të pafalshme mungesat në medikamentet bazë dhe vonesat e riparimeve të aparaturave që janë të rëndësishme për diagnostikim”.
Ai tha se edhe për zbatimin e ligjit anti- duhan nevojitet një punë dhe vendosmëri më e mirë, në respektimin e konventës mbi kontrollin e duhanit dhe të ligjeve represive.
“Tërësia e problemeve në këtë sektor dhe ndërthurja në sektorë të tjerë të jetës, bëjnë që reforma e sistemit shëndetësor të jetë e vështirë dhe komplekse”, u shpreh Oketa, duke rikonfirmuar angazhimin e qeversië në mbështetjen e reformave të ndërmarra në sektorin e shëndetësisë.
Qytetarë!
Denonconi korrupsionin në sistemin shëndetësor në 069 20 24 322
Tirane, me 21 Shkurt 2008 | |