L I G J
Nr.9318, datë 18.11. 2004
PËR DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR.8615, DATË 1.6.2000 “PËR URDHRIN E MJEKËVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,
K U V E N D I
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
V E N D O S I:
Në ligjin nr.8615, datë 1.6.2000 "Për Urdhrin e Mjekëve në Republikën e Shqipërisë", bëhen këto ndryshime:
Neni 1
Paragrafi i parë i nenit 9 ndryshohet si më poshtë:
"Këshilli Kombëtar përbëhet nga 21 anëtarë. Në këtë Këshill bëjnë pjesë detyrimisht: Presidenti dhe Zëvendëspresidenti i Këshillit Kombëtar të Urdhrit të Mjekëve, presidentët e këshillave rajonalë të Urdhrit të Mjekëve, një përfaqësues i Ministrisë së Shëndetësisë, një përfaqësues i Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale, një përfaqësues i Ministrisë së Financave, një përfaqësues i Fakultetit të Mjekësisë, një përfaqësues i Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor dhe dy përfaqësues nga organizatat jofitimprurëse.".
Neni 2
Paragrafi i dytë i nenit 12 ndryshohet si më poshtë:
"Këshilli rajonal zgjedh presidentin dhe zëvendësit e tij. Mandati i presidentit është 5 vjet, me të drejtën e një rizgjedhjeje.".
Neni 3
Neni 16 ndryshohet si më poshtë:
"Neni 16
Shteti i jep Urdhrit të Mjekëve një mbështetje buxhetore, në formë transferte, për vitet 2004 e 2005.".
Neni 4
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Shpallur me dekretin nr.4419, datë 14.12.2004 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Aldred Moisiu
|