LIGJ
Nr.9271, datë 9.9.2004
PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.7975, DATË 26.7.1995
"PËR BARNAT NARKOTIKE DHE LËNDËT PSIKOTROPE"
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës me propozimin e Këshillit të Ministrave,
KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
VENDOSI:
Në ligjin nr.7975, datë 26.7.1995 "Për barnat narkotike dhe lëndët psikotrope" bëhen këto shtesa e ndryshime:
Neni 1
Neni 9 ndryshohet si më poshtë:
"Neni 9
Në Republikën e Shqipërisë ndalohen kultivimi i hashashit (Papaver somniferum) për prodhimin e opiumit dhe të kashtës, kultivimi i bimës së kokës (Erythroxylon coca) për prodhimin e alkaloideve e të lëndëve aromatike, si dhe kultivimi i të gjitha llojeve dhe varieteteve të bimëve të gjinisë cannabis për prodhimin e kanabisit, të rrëshirës dhe vajit.
Lejohet kultivimi i kërpit (Cannabis sativa L) për qëllime industriale për prodhimin e fibrave dhe të farërave vetëm për varietetet që përmbajnë jo më shumë se 0,1 për qind tetrahidrokanabinol.
Importimi i farërave për varietetet, që përmbajnë nivelin e përcaktuar në këtë nen, bëhet me leje të Ministrit të Bujqësisë dhe Ushqimit.
Masat e kontrollit dhe të monitorimit të subjekteve, që merren me këtë veprimtari, përcaktohen me udhëzim të përbashkët të Ministrit të Bujqësisë dhe Ushqimit dhe të Ministrit të Rendit Publik.
Për qëllime të këtij ligji, termi "cannabis", i përmendur në paragrafin e parë, nënkupton majat e lulëzuara dhe të frutifikuara të bimëve të gjinisë cannabis, duke përjashtuar farërat dhe gjethet kur këto nuk janë të shoqëruara me majat, prej të cilave nuk është hequr rrëshira, pavarësisht nga emri që ato mund të kenë.".
Neni 2
Neni 13 ndryshohet si më poshtë:
"Neni 13
Prodhimi, fabrikimi, tregtimi ndërkombëtar, shitja me shumicë dhe pakicë, përdorimi i bimëve, lëndëve dhe përgatesave të përcaktuara në tabelën II, u lejohet vetëm personave të pajisur me licencë të posaçme për këto veprimtari.
Licenca nevojitet edhe për prodhimin, fabrikimin dhe tregtimin ndërkombëtar të bimëve, lëndëve dhe përgatesave të përcaktuara në tabelën III.
Për objektet dhe ndërtesat ku do të kryhen veprimtaritë e mësipërme kërkohet leje e posaçme.".
Neni 3
Neni 14 ndryshohet si më poshtë:
“Neni 14
Licenca për kryerjen e veprimtarive të parashikuara në nenin 13, miratohet nga Komisioni Ndërministror i përbërë nga Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Rendit Publik dhe Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit. Komisioni Ndërministror përcakton kriteret për pajisjen me licencë.".
Neni 4
Neni 15 shfuqizohet.
Neni 5
Në tekstin e ligjit fjalët “Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes së Mjedisit” bëhen “Ministria e Shëndetësisë”.
Neni 6
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Shpallur me dekretin nr.4330, datë 23.9.2004 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu
Nr.9271/1
PËR NJË SHTESË NË LIGJIN NR.7975, DATË 26.7.1995 “PËR BARNAT NARKOTIKE DHE LËNDËT PSIKOTROPE”
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,
K U V E N D I
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
V E N D O S I:
Neni 1
Në ligjin nr.7975, datë 26.7.1995 “Për barnat narkotike dhe lëndët psikotrope”, pas nenit 10 shtohet neni 10/1 me këtë përmbajtje:
“Neni 10/1
1. Kryetari i njësisë së qeverisjes vendore, specialistët e Policisë së Rendit dhe të Policisë Kriminale në zonë, brenda juridiksionit të tyre administrativ, në bashkëpunim edhe me strukturën përkatëse të luftës kundër drogës në drejtorinë e policisë të qarkut, organizojnë punën për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, zbulimin e sipërfaqeve të kultivuara dhe identifikimin e personave përgjegjës.
2. Kryetari i njësisë bazë të qeverisjes vendore, specialistët e Policisë së Rendit dhe të Policisë Kriminale në zonë, për çdo rast të vërejtjes apo marrjes dijeni për kultivimin e bimëve narkotike në zonën që mbulojnë, janë të detyruar të raportojnë menjëherë me shkrim në strukturën përkatëse të luftës kundër drogës në drejtorinë e policisë të qarkut.
3. Kur personat e mësipërm veprojnë në kundërshtim me pikën 2 të këtij neni, sipas rastit, janë subjekte të veprave penale të parashikuara nga nenet 248, 300 dhe 301 të Kodit Penal.”.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Shpallur me dekretin nr.4952, datë 30.6.2006 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu
|