LIGJ
Nr.9644, datë 20.11.2006
PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.9323, DATË 25.11.2004
“PËR BARNAT DHE SHËRBIMIN FARMACEUTIK”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,
KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
VENDOSI:
Në ligjin nr.9323, datë 25.11.2004 “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik”, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
Neni 1
Në nenin 3 shtohen pikat 26 e 27 me këtë përmbajtje:
“26. “Çmim CIF i importit” është çmimi (“Cost, Insurance, Freight”- Kosto, Sigurim, Shpenzime transporti), i përcaktuar për barin nga fabrikuesi deri në pikën doganore hyrëse në Republikën e Shqipërisë.
27. “Listë rimbursimi” është lista e barnave, që rimbursohen nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor.”.
Neni 2
Neni 50 ndryshohet si më poshtë:
“Neni 50
Çmimi i barnave dhe marzhet
1. Çmimi i barnave në treg është i kontrolluar dhe bazohet mbi çmimet CIF të importit dhe mbi bazën e çmimeve të fabrikimit për barnat e prodhuara në vend.
2. Kontrolli i çmimit të barnave në treg realizohet përmes marzheve të fabrikimit e të tregtimit, që përcaktohen nga Këshilli i Ministrave.
3. Çmimet e barnave të listës së rimbursimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”.
Neni 3
Neni 51 ndryshohet si më poshtë:
“Neni 51
Komisioni i Çmimit të Barnave
1. Këshilli i Ministrave ngre Komisionin e Çmimit të Barnave, të përbërë nga:
- 2 përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë;
- 2 përfaqësues nga Ministria e Financave;
- 1 përfaqësues nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës;
- 2 përfaqësues nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor.
2. Mënyra e funksionimit të këtij Komisioni përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e Ministrit të Financave dhe të Ministrit të Shëndetësisë.”.
Neni 4
Shkronja “k” e nenit 57 ndryshohet si më poshtë:
“k) shkelja e nenit 50, deklarimi i rremë i çmimeve CIF të importit dhe çmimeve të fabrikimit për barnat e prodhuara në vend, dënohet me gjobë të barabartë me 100 për qind të shumës së llogaritur ndërmjet vlerës së deklaruar dhe çmimit real.
Shitja me çmime të ndryshme nga ato të përcaktuara nga Komisioni i Çmimit të Barnave dënohet me 100 për qind të shumës së përfituar padrejtësisht dhe, në rast përsëritjeje, me heqje të licencës.”.
Neni 5
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Shpallur me dekretin nr.5149, datë 12.12.2006 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu |