Adresa: Bulevardi “Bajram Curri” nr. 1 Tirane, Tel ++355 43 62937
 
Ligje dhe Dokumenta
 
 

Programi i qeverisë
Dokumenta Strategjik
Legjislacioni

 
     
 
Legjislacioni
 
 

LIGJ
Nr.9636, datë 6.11.2006
PËR MBROJTJEN E SHËNDETIT NGA PRODUKTET E DUHANIT

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të
Ministrave,
KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
VENDOSI:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Qëllimi
Qëllimi i këtij ligji është mbrojtja e shëndetit publik nga përdorimi i produkteve të duhanit
dhe ekspozimi i pavullnetshëm ndaj tymit të tyre.
Neni 2
Objekti
Objekt i këtij ligji janë:
a) përcaktimi i masave për kufizimin e përdorimit të produkteve të duhanit dhe mbrojtjen e
publikut nga dëmet nga ekspozimi i pavullnetshëm ndaj tymit të tyre;
b) përcaktimi i masave, që krijojnë premisa për ndërgjegjësimin e publikut për dëmet e
duhanit dhe garantimin e një informimi efektiv dhe të vazhdueshëm të përdoruesve të produkteve të
duhanit për këto dëme;
c) përcaktimi i masave për të parandaluar fillimin, për të nxitur dhe mbështetur ndërprerjen
e përdorimit dhe për të ulur konsumin e prodhimeve të duhanit.
Neni 3
Përkufizime
Për qëllim të këtij ligji, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. “Produkte duhani” janë produkte të prodhuara, tërësisht apo pjesërisht, nga gjethja e
duhanit, si lëndë e parë dhe që përdoren për t’u tymosur, thithur, përtypur ose nuhatur.
2. “Paketë ose pako” është çdo kuti ose qese e mbyllur, që përmban produkte duhani e që
shitet me pakicë.
3. “Katran” është kondensimi i thatë e i paholluar, pa nikotinë, i tymit që çlirohet gjatë
duhanpirjes.

4. “Nikotinë” janë alkaloide nikotinike helmuese, që gjenden në tymin e duhanit dhe që
veprojnë në sistemin nervor.
5. “Monoksidi i karbonit” është një lëndë kimike, që prodhohet gjatë djegies dhe çlirohet
me tymin e duhanit.
6. “Tregtim i produkteve të duhanit” janë importi dhe eksporti i produkteve të duhanit,
depozitimi për qëllime shitjeje dhe blerjeje.
7. “Pirje duhani” është ndezja, thithja dhe mbajtja në dorë e ndezur e çdo produkti duhani
që digjet.
8. “Reklamë e produkteve të duhanit” është çdo formë komunikimi, rekomandimi ose
veprimi tregtar, që ndikon në promovimin e një produkti duhani ose në nxitjen e përdorimit të
duhanit, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, përfshirë edhe sponsorizimin ose imazhin e një
produkti duhani, duke përmendur emrin apo markën etj.
9. “Markë” është shenja dalluese, që u vihet produkteve të duhanit për të treguar llojin,
cilësinë dhe prodhuesin e tyre, ku përfshihen emrat, shkronjat, numrat, shenjat figurative,
kombinimet e ngjyrave apo të nuancave të tyre, si dhe ndërthurja e tyre.
10. “Sponsorizim duhani” është çdo formë kontributi për një ngjarje, veprimtari kulturore
ose sportive apo për një individ, që çon ose mund të çojë në promovimin apo përdorimin e
produkteve të duhanit në mënyrë të drejtpërdrejtë ose jo.
11. “Promovim i duhanit” është çdo lloj veprimtarie, ngjarje apo veprim, që ka për qëllim
njohjen e publikut me produkte të reja të duhanit, që janë hedhur apo do të hidhen në treg.
12. “Mjedis publik” është një mjedis i mbyllur, i caktuar për qëndrime kolektive, si dhoma
në ndërtesa, ku parashikohet të zhvillohen veprimtari në fushën e shëndetit, mirëqenies shoqërore,
edukimit dhe trajnimit, tregtisë, sportit, ushqimit, artit dhe kulturës, si dhe salla pritjeje, dhoma
konferencash, holle për mbledhjen e publikut, salla leksionesh, mjete të transportit publik, ashensorë
etj.
13. “Mjedis pune” është çdo hapësirë e mbyllur, ku punonjësit ushtrojnë veprimtarinë dhe
detyrat, për të cilat janë punësuar, si dhe salla mbledhjesh, korridore, shkallë, ashensorë, dhoma
tualeti dhe çdo mjedis tjetër i mbyllur, që frekuentohet gjatë orarit të punës.
14. “Tavllë duhani/taketuke cigaresh” është një enë e vogël, ku shkundet hiri i produktit të
duhanit që po digjet dhe ku lihen bishtat e cigareve.
15. “Masat parandaluese të duhanpirjes” janë veprimtaritë sistematike, që synojnë të
sigurojnë mbrojtjen e shëndetit të popullsisë, duke zgjatur jetën dhe përmirësuar cilësinë e saj.
16. “KNMSHPD” është Komiteti Ndërsektorial për Mbrojtjen e Shëndetit nga Produktet e
Duhanit.
17. “ISO (Organizata Ndërkombëtare e Standardeve)” është një sistem referencash, sipas të
cilave vendosen specifikimet dhe kriteret që duhet të zbatohen në mënyrë të vazhdueshme gjatë
klasifikimit të materialeve në industri dhe në furnizimin e prodhimeve, testimin dhe analizën,
terminologjinë dhe ofrimin e shërbimeve.
KREU II
PARALAJMËRIMET E DETYRUARA SHËNDETËSORE NË PRODUKTET E DUHANIT
Neni 4
Në çdo njësi pakete apo paketimi të produkteve të duhanit duhet të figurojnë mesazhe
paralajmëruese për dëmet që shkakton në shëndet përdorimi i duhanit. Këto mesazhe duhet të jenë të
shkruara në gjuhën shqipe, qartë, dukshëm dhe lexueshëm. Ato duhet të zënë 50 për qind ose më
shumë të sipërfaqes së shfaqur, por jo më pak se 30 për qind të faqes kryesore.
Forma dhe teksti i mesazheve përcaktohen nga KNMSHPD-ja dhe riformulohen
periodikisht.

Neni 5
1. Në paketat dhe pakot, që përmbajnë produkte duhani, duhet të figurojnë, gjithashtu, të
shkruara në gjuhën shqipe:
a) emri i produktit;
b) emri, adresa e prodhuesit dhe e mbajtësit të licencës;
c) numri i pjesëve të produktit të duhanit në pako apo paketë;
ç) sasia e nikotinës në tym;
d) sasia e katranit në tym;
dh) sasia e monoksidit të karbonit në tym.
2. Nëse produkti nuk është paketuar nga prodhuesi i tij, paketa duhet të përmbajë edhe
emrin e paketuesit. Të dhënat e përmendura në pikat 1 e 2 të këtij neni duhet të zënë 10 për qind të
sipërfaqes së jashtme të paketës dhe vendosen në faqet anësore të saj.
3. Ndalohen prodhimi në vend, importimi dhe tregtimi i produkteve të duhanit, që
përmbajnë më shumë se:
- 10 mg katran për cigare;
- 1 mg nikotinë për cigare;
- 10 mg monoksid karboni.
Testet për sasinë e katranit, nikotinës dhe monoksidit të karbonit duhet të kryhen në
laboratorë të akredituar nga autoritetet përkatëse, duke u bazuar në standardet ISO.
Neni 6
Ndalohet shënimi mbi paketa ose pakot e produkteve të duhanit i shprehjeve, si: “me
përmbajtje të ulët katrani”, “e lehtë”, “ultra e lehtë”, “e butë” apo terma, shenja, foto, vizatime dhe
elemente të tjera të ngjashme, që kanë qëllim të krijojnë përshtypje të gabuar se një produkt duhani
është më pak i dëmshëm për shëndetin se produktet e tjera.
Neni 7
Ministria e Shëndetësisë ka për detyrë të njoftojë publikun për nivelet e katranit, nikotinës
dhe monoksidit të karbonit në prodhimin e produkteve të duhanit, për ndikimin e tyre në shëndet, si
dhe për çdo efekt që shkakton ose mendohet se mund të shkaktojë varësi të përdoruesit ndaj
produktit të duhanit.
Neni 8
Prodhuesit dhe/ose importuesit e produkteve të duhanit janë të detyruar të paraqesin në
Ministrinë e Shëndetësisë, për produktet e duhanit që qarkullojnë në tregun vendas, si dhe për çdo
rast kur prej tyre hidhet në treg një produkt i ri i duhanit, një listë të të gjithë përbërësve të përdorur
në fabrikimin e produktit të duhanit dhe sasitë e tyre, arsyen apo qëllimin e përdorimit të këtyre
përbërësve, si dhe të përcaktojnë funksionimin dhe kategorinë e përbërësve. Kjo listë duhet të
shoqërohet me të dhëna toksikologjike, të disponueshme prej fabrikuesit apo importuesit, në lidhje
me këta përbërës, në formë të djegur apo të padjegur, duke u shprehur në mënyrë të veçantë për
efektet e tyre mbi shëndetin dhe duke vlerësuar çdo efekt që shkakton ose mendohet se mund të
shkaktojë varësi të përdoruesit ndaj produktit të duhanit.
KREU III
MASAT KUFIZUESE PËR PËRDORIMIN E PRODUKTEVE TË DUHANIT
Neni 9
Ndalohet shitja ose furnizimi, për qëllime tregtimi, i produkteve të duhanit personave nën

moshën 18 vjeç.
Të gjitha pikat e shitjes duhet të pajisen me tabelë të dukshme dhe të lexueshme, ku të
shkruhet: “Ndalohet shitja e produkteve të duhanit personave nën 18 vjeç ”.
Neni 10
Ndalohet shitja e produkteve të duhanit:
a) në institucionet shëndetësore;
b) në institucionet arsimore;
c) në institucionet sportive;
ç) në makinat shitëse automatike;
d) me anë të vetëshërbimit;
dh) në rrugë nga shitësit ambulantë;
e) nëpërmjet shërbimit postar.
Neni 11
Ndalohet shitja me pakicë e produkteve të duhanit të papaketuara ose me paketim të
dëmtuar.
Neni 12
Ndalohet ofrimi falas i produkteve të duhanit nga subjektet që i prodhojnë, i importojnë ose i
tregtojnë ato.
KREU IV
REKLAMA, PROMOVIMI DHE SPONSORIZIMI
Neni 13
Ndalohen reklama dhe promovimi i produkteve të duhanit nëpërmjet medias së shkruar,
transmetimeve televizive e radiofonike dhe shërbimeve të shoqërive të informacionit. Ndalohen
reklama dhe promovimi i çdo lloji dhe forme tjetër të produkteve të duhanit.
Ndalohet, për qëllime reklame apo promovimi, botimi i fotografive, vizatimeve etj., në të
cilat shfaqen persona që pinë duhan dhe i imazheve që krijojnë përshtypje të gabuar te publiku për
karakteristikat e produkteve të duhanit, efektet e përdorimit të tyre në shëndet, rreziqet dhe/ose
dëmet.
Nuk përbëjnë reklamë dhe promovim të produkteve të duhanit librat teknikë, revistat dhe
botimet e tjera profesionale për duhanin.
Neni 14
Ndalohet sponsorizimi i programeve radiofonike, televizive dhe i çdo veprimtarie tjetër nga
shoqëri që kanë për objekt të veprimtarisë të tyre prodhimin, importimin apo tregtimin e produkteve
të duhanit dhe kur ky sponsorizim ka për qëllim promovimin apo reklamën e produkteve të duhanit.
KREU V
MBROJTJA PREJ EKSPOZIMIT TË PAVULLNETSHËM
NDAJ TYMIT TË DUHANIT
Neni 15
Ndalohet pirja e duhanit në:

a) mjediset e punës;
b) institucionet shëndetësore, me përjashtim të institucioneve të shëndetit mendor (vetëm për
pacientët);
c) institucionet arsimore;
ç) mjetet e transportit publik;
d) mjedise tregtare, bare, restorante, diskoteka dhe klubet e natës;
dh) mjedise të tjera publike.
Në mjediset/institucionet e mësipërme nxirret një rregullore e brendshme, ku theksohet
ndalimi i pirjes së duhanit në këto mjedise dhe përcaktohet qartë personi, i cili do të jetë përgjegjës
për rastet e shkeljes së këtij ndalimi nga çdo person.
Neni 16
Pronari ose administratori i mjediseve të përcaktuara në nenin 15 të këtij ligji apo personi i
caktuar prej tyre është përgjegjës për vendosjen e shenjave të dukshme, që tregojnë se pirja e
duhanit në këto mjedise është e ndaluar, si dhe të heqë e të mos lejojë vendosjen e tavllave të
duhanit në këto mjedise.
KREU VI
ORGANIZIMI I STRUKTURAVE TË MBROJTJES SË SHËNDETIT NGA PRODUKTET E
DUHANIT
Neni 17
Pranë Ministrisë së Shëndetësisë ngrihet Komiteti Ndërsektorial për Mbrojtjen e Shëndetit
nga Produktet e Duhanit (KNMSHPD). Kryetar i KNMSHPD-së është Ministri i Shëndetësisë.
Mënyra e organizimit, e funksionimit, e përbërjes, si dhe masa e shpërblimit të anëtarëve të
Komitetit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 18
KNMSHPD-ja përgjigjet për:
a) orientimin e politikave dhe strategjisë për mbrojtjen e shëndetit të publikut nga produktet
e duhanit;
b) rishikimin e akteve në fuqi për mbrojtjen e shëndetit të publikut nga produktet e duhanit
dhe propozimin për përmirësimin e ligjit;
c) propozimin e programeve dhe të projekteve, për të siguruar uljen e përdorimit të
produkteve të duhanit dhe mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, monitorimin dhe vlerësimin e këtyre
programeve dhe projekteve;
ç) orientimin e burimeve drejt programeve dhe projekteve, që synojnë uljen e përdorimit të
produkteve të duhanit dhe mbrojtjen e shëndetit prej tyre;
d) sigurimin e bashkëpunimit me institucione qeveritare dhe joqeveritare, brenda dhe jashtë
vendit, për politikat e kontrollit të duhanit;
dh) paraqitjen e raporteve vjetore pranë komisionit parlamentar përkatës.
KREU VII
KONTROLLI, MONITORIMI I ZBATIMIT TË LIGJIT DHE KUNDËRVAJTJET
ADMINISTRATIVE
Neni 19
Kontrolli për zbatimin:
a) e neneve 4, 5 dhe 6 është përgjegjësi e Inspektoratit Sanitar Shtetëror, administratës

doganore dhe Policisë Tatimore. Në rastet kur këto institucione zhvillojnë kontrolle të përbashkëta,
ato duhet të bashkërendojnë punën për këtë qëllim;
b) e nenit 9 është përgjegjësi e Policisë Tatimore;
c) e shkronjave “a”, “b” dhe “c” të nenit 10 është përgjegjësi e Inspektoratit Sanitar
Shtetëror, ndërsa e shkronjave “ç”, “d” e “dh” të këtij neni është përgjegjësi e Policisë Tatimore;
ç) e neneve 11, 12, 13 dhe 14 është përgjegjësi e Policisë Tatimore;
d) e neneve 15 dhe 16 është përgjegjësi e Inspektoratit Sanitar Shtetëror, policisë bashkiake
ose komunare, sipas territorit të juridiksionit të tyre. Në rastet kur zhvillojnë kontrolle të
përbashkëta, ato bashkërendojnë punën për këtë qëllim.
Ngarkohet Inspektorati Sanitar Shtetëror, i cili vepron në mbështetje të ligjit nr.7643, datë
2.12.1992 “Për Inspektoratin Sanitar Shtetëror”, të ndryshuar, për monitorimin e zbatimit të këtij
ligji.
Neni 20
Shkeljet e dispozitave të këtij ligji, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje
administrative dhe dënohen si më poshtë:
a) shkelja e nenit 4, e nenit 5 pika 1 shkronjat “ç”, “d” e “dh” dhe pika 3, si dhe e nenit 6
dënohet me konfiskim, asgjësim të mallit dhe 5 000 000 (pesë milionë) lekë gjobë, sipas rastit, për
importuesin e produktit apo prodhuesin vendas;
b) shkelja e nenit 9 dënohet me konfiskim të produkteve të duhanit dhe 100 000 (njëqind
mijë) lekë gjobë për subjektin shitës me shumicë apo pakicë të produkteve të duhanit;
c) shkelja e nenit 10 dënohet me konfiskim të produkteve të duhanit dhe 100 000 (njëqind
mijë) lekë gjobë, sipas rastit, subjektit shitës me pakicë ose pronar i veprimtarisë së parashikuar në
shkronjat “ç”, “d” dhe “e” të nenit 10;
ç) shkelja e nenit 11 dënohet me konfiskim të produkteve të duhanit dhe 20 000 (njëzet
mijë) lekë gjobë për shitësin me pakicë;
d) shkelja e nenit 12 dënohet me konfiskim të produkteve të duhanit dhe 100 000 (njëqind
mijë) lekë gjobë, sipas rastit, subjektit prodhues, importues apo tregtues, që ka kryer shkeljen;
dh) shkelja e nenit 13, paragrafi i parë dhe i dytë, dënohet me 3 000 000 (tre milionë) lekë
gjobë për pronarin e veprimtarisë së reklamës, medias së shkruar, transmetimit televiziv, radiofonik
apo të shërbimit të shoqërisë së informacionit;
e) shkelja e nenit 14 dënohet me 3 000 000 (tre milionë) lekë gjobë për subjektin prodhues,
importues apo tregtues të produkteve të duhanit, që ka kryer shkeljen;
ë) mospërmbushja e detyrimeve të parashikuara në paragrafin e parë të nenit 16 nga
pronari/administratori apo personi i caktuar përgjegjës prej tyre dënohet me 50 000 (pesëdhjetë mijë)
lekë gjobë për pronarin/administratorin e mjediseve apo personin e caktuar prej tyre.
Sanksionet për kundërvajtjet administrative, të parashikuara më sipër, ekzekutohen
menjëherë. Ankimi për to bëhet në përputhje me ligjin nr.7697, datë 7.4.1993 “Për kundërvajtjet
administrative”, të ndryshuar.
Neni 21
Paragrafi i tretë i nenit 19/a dhe paragrafi i tretë i nenit 19/b të ligjit nr.8691, datë
16.11.2000 “Për prodhimin dhe tregtimin e duhanit dhe të cigareve”, të ndryshuar, shfuqizohen.
Neni 22
Ngarkohet Këshilli i Ministrave që, në zbatim të neneve 17 e 19, të nxjerrë akte nënligjore
në zbatim të këtij ligji.
Neni 23

Ky ligj hyn në fuqi 6 muaj pas botimit në Fletoren Zyrtare, ndërsa zbatimi i nenit 6 të këtij
ligji i shtrin efektet nga data 1 janar 2009.
Shpallur me dekretin nr.5122, datë 20.11.2006 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë,
Alfred Moisiu

 

 
     
Copyright © Ministria e Shëndetësisë 2005 - 2006 | Të gjitha të drejtat e rezervuara